Njësitet e kërkim-shpëtimit kanë ndërprerë përkohësisht kërkimet, për gjetjen edhe të një personi, për të cilin dyshohet të jetë nën gërmadhat që shkaktoi orteku i borës në fshatin Restelicë të Dragashit.
Terreni i vështirë dhe reshjet e pandërprera të borës kanë bërë që operacioni i kërkim shpëtimit të ndërpritet tani në mbrëmje. Ndërkohë numri i viktimave nga kjo fatkeqësi natyrore ka arritur në 9 persona.
Nënkoloneli i FSK-së, Sehmsi Syla tha se kërkimet janë bërë të pamundura për shkak të kushteve të renda atmosferike dhe rënies së territ. Ai pohoi se kërkimet do të fillojnë sërish të hënën nga ora 7.00 e mëngjesit.
“Për sot përfundojnë kërkimet, për të vazhduar nesër në ora 7.00, sepse kushtet atmosferike nuk lejuan që të vazhdohet më tutje. Ushtarët gjatë tërë ditës kanë punuar në kushte jashtëzakonisht të vështira, me reshje dhe me të ftohtë. Një urdhëresë që ka ardhur nga Shtabi i Përgjithshëm, thotë të ndërpriten të gjitha aktivitetet për të vazhduar nesër në ora 7.00. Pra, nesër do të bëhet përpjekja maksimale dhe deri të gjendet edhe personi i fundit i cili është nën ortekun e borës, aktiviteti ynë do të vazhdojë”, ka thënë Syla.
Ndërkaq Osman Qerreti, përgjegjës i Departamentit të Operativës në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave tha se nuk parashihet ndonjë rrezik eventual nga ndonjë ortek tjetër. Të paktën, sipas tij, këtë e kanë thënë disa ekspertë, alpinistë austriak të cilët kanë monitoruar sot atë zonë.
“Kërkimi edhe për personin e njëmbëdhjetë po vazhdon. FSK, policia dhe zjarrfikësit janë në kërkim. Sipas verifikimeve të alpinistëve austriak, për momentin nuk paraqitet rrezik për ndonjë ortek edhe pse ka reshje të shumta të borës”, ka thënë gjatë ditës Qerreti për Kosovapress.
Ndryshe, nga kjo tragjedi e ndodhur në fshatin Restelicë 9 persona kanë humbur jetën dhe një vajzë pesë vjeçare është nxjerrë e gjallë nga rrënojat. Ndërsa vazhdojnë kërkimet edhe për personin e njëmbëdhjetë, për të cilin dyshohet se gjendet në shtëpitë e rrënuara, si pasojë e goditjes së një orteku të fuqishëm./Kosovapress/