Edhe 5 të ngujuar afër Restelicës

Me vendim të Ministrit Agim Çeku dhe urdhër të Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, Forca e Sigurisë së Kosovës ka vazhduar sot në mëngjes operacionin e kërkimit të personit të njëmbëdhjetë, të zhdukur nga orteku i borës në Restelicë të Komunës së Sharrit.

Nënkolonel Mehmet Lladrovci, Komandant i Batalionit të dytë të Brigadës për Reagim të Shpejtë, është caktuar komandanti i operacionit që do të udhëheq kërkimet në Restelicë deri në gjetjen e personit të fundit që konsiderohet i zhdukur në këtë fatkeqësi natyrore.

Ndërkohë Ministri i FSK-së, Agim Çeku, ka njoftuar për një situatë të re në afërsi të fshatit Restelicë, ku sipas tij edhe 5 persona tjerë, fermerë, kanë mbetur të ngujuar nga bora, por sipas tij, FSK ka kontaktuar me këta persona dhe ata janë në gjendje të mirë.

“Ata janë gjallë. Ne i kemi kontaktuar ndërsa ata po kërkojnë ndihmë, si batanije dhe gjëra tjera ushqimore, që besoj se së bashku me KFOR-in do t’i dërgojmë nga ajri pasi momentalisht është shumë e vështirë të depërtohet atje”, ka thënë Çeku, transmeton Indeksonline.

Në operacionin e sotëm në Restelicë janë të angazhuar 154 pjesëtarë dhe 21 automjete dhe kjo është dita e tretë e angazhimit të FSK-së në këtë operacion.

Ndërkaq, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati ka pranuar ngushëllimet për tragjedinë e ndodhur në Restelicë nga shefi i Shtabit të Ushtrisë së Republikës së Shqipërisë, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi.

Më këtë rast, gjeneralmajor Gjunkshi, ka shprehur edhe admirimin për angazhimin maksimal në operacion të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ka lavdëruar angazhimin e pjesëtarëve në operacion. Shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare po ashtu ka ofruar ndihmën e Ushtrisë Shqiptare, në rast nevoje.

Shefi i Shtabit Gjeneralmajor Gjunkshi shprehu gatishmërinë për ta ndihmuar Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe popullin e Kosovës në raste të tilla, ashtu sikurse Forca e Sigurisë së Kosovës ka qenë e angazhuar dy here në mision gjatë vërshimeve në Shkodër.

Komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Kadri Kastrati e ka falënderuar Shefin e Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, për ngushëllimet si edhe për gatishmërinë për ti dal në ndihmë popullit të Kosovës në rast fatkeqësive, si edhe ka shpreh bindjen se FSK-ja ka kapacitete të mjaftueshme për ta përballuar këtë situatë./zeri/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat