Që nga ora 7 e mëngjesit, serbët e komunave veriore kanë filluar të dalin në referendum përmes së cilit ata votojnë se i pranojnë apo jo institucionet e shtetit të Kosovës.
Ndonëse i cilësuar si ilegal dhe pa efekte politike e juridike nga ana e Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e komunave në veri dhe pjesës veriore të Mitrovicës, besojnë se megjithatë referendumi i tyre do të ketë mesazhe dhe efekte të rëndësishme politike.
Kërstimir Pantiq, që për strukturat e serbëve në veri është kryetar i Mitrovicës, përderisa për institucionet e Kosovës ai paraqet një post ilegal, pasi votoi në referendum tha se me këtë veprim serbët do t’u dërgojnë mesazhe të qarta si liderëve kosovarë, përfaqësuesve ndërkombëtarë, po ashtu edhe disa politikanëve në Serbi.
“Jam i sigurt që ky referendum do të ketë rëndësi historike ngase me shumëçka do të ndryshojë pozicionin e bashkësisë ndërkombëtare në raport me Kosovën, pavarësisht faktit se disa mundohen ta paraqesin se ai nuk do të ketë kurrfarë rëndësie. Mendoj se rezultatet e tij nuk do të mund t’i injoron askush”, thotë Pantiq.
Një qëndrim identik paraqet edhe një përfaqësues tjetër serb, Momir Kasalloviq.
Ai thotë se pas rezultateve të referendumit askush më nuk do të mund të thotë se integrimin e veriut po e pengon një grup i vogël njerëzish, ngase beson se qytetarët do të votojnë kundër pranimit të shtetit të Kosovës.
Edhe qytetarët që kishin dalë në referendum mendonin njësoj sikurse udhëheqësit e tyre politik.
“Në veri të Kosovës nuk janë strukturat kriminale, por i gjithë populli që dëshiron të mbetet nën sovranitetin e Serbisë dhe jo nën pushtetin e Hashim Thaçit”, thotë Stevan Filipoviq, një qytetar që kishte dalë të votoj në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Duam të tregojmë se jemi të bashkuar dhe të qëndrojmë secili në vendin e vet dhe se nuk mundet që dikush me institucionet e veta të na dëbojë nga pronat tona. Këtu ka qenë e kaluara, e tashmja dhe do të jetë edhe e ardhmja e jonë”, thotë Ivana Millovanoviq, një qytetare, duke besuar se referendumi do të jep si rezultat kundërshtimin e institucioneve të Kosovës.
Sidoqoftë, vendvotimet në pjesën veriore të Mitrovicës, në Zveçan dhe Zubin Potok, janë hapur që nga mëngjesi, ndërkaq nesër do të hapen edhe në komunën e Leposaviqit.
Pyetja e referendumit është “A i pranoni institucionet e së ashtuquajturës Republikë e Kosovës”, ndërsa mundësia për përgjigje është “po” ose “jo”.
Institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë thënë se ky referendum është ilegal. Përderisa komandanti i forcës paqeruajtëse të KFOR-it
Erhard Drevs, ka thënë se referendumi mund të provokojë dhunë ./rel/