Serbët e komunave veriore kanë filluar të dalin në referendum përmes së cilit ata votojnë se i pranojnë apo jo institucionet e shtetit të Kosovës. Dalja e qytetarëve në vend votime ka qenë e pakët dhe për këtë janë të shqetësuar strukturat paralele serbe.
Deri në orët e mbrëmjes, në referendumin që është mbajtur në veri të Mitrovicës, Zveçan dhe Zubin Potok, kanë votuar rreth 7 mijë qytetarë, ka thënë para gazetarëve të martën mbrëma Lubo Radoviq, përfaqësues i shtabit qendror për marëdhënie me media.
Sipas tij, dalja në numër më të madh është shënuar në veri të Mitrovicës, ku kanë votuar rreth 39 për qind e votuesve, në komunën e Zveqanit kanë votuar rreth 30 për qind, ndërsa në Zubin Potok rreth 27 për qind e votuesve.
Ai theksoi se votimi është zhvilluar pa ndonjë problem, duke shtuar se qendrat e votimit do të mbyllen në ora 19:00.
Ndonëse i cilësuar si ilegal dhe pa efekte politike e juridike nga ana e Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e komunave në veri dhe pjesës veriore të Mitrovicës, besojnë se megjithatë referendumi i tyre do të ketë mesazhe dhe efekte të rëndësishme politike.
Kërstimir Pantiq, Kryetar ilegal i Mitrovicës, pasi ka votuar në referendum, ka thënë se me këtë veprim serbët do t’iu dërgojnë mesazhe të qarta si liderëve kosovarë, përfaqësuesve ndërkombëtarë ashtu edhe disa politikanëve në Serbi.
“Jam i sigurt që ky referendum do të ketë rëndësi historike ngase me shumëçka do të ndryshojë pozicionin e bashkësisë ndërkombëtare në raport me Kosovën, pavarësisht faktit se disa mundohen ta paraqesin se ai nuk do të ketë kurrfarë rëndësie. Mendoj se rezultatet e tij nuk do të mund t’i injorojë askush”, ka theksuar Pantiq.
Një qëndrim identik paraqet edhe një përfaqësues tjetër serb, Momir Kasalloviq.
Ai thotë se pas rezultateve të referendumit askush më nuk do të mund të thotë se integrimin e veriut po e pengon një grup i vogël njerëzish, ngase beson se qytetarët do të votojnë kundër pranimit të shtetit të Kosovës.
Marko Jakshiq, një përfaqësues tjetër i serbëve të veriut, thotë se vota në këtë referendum paraqet një hap të madh të drejt kthimit të Kosovës në Serbi.
Jakshiq i ka bërë thirrje Qeverisë së Serbisë që të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë edhe në Kosovë në mënyrë që të konstituohen organet e reja lokale mbi bazat e Kushtetutës dhe Ligjeve të Serbisë nëpër komunat ku serbët përbëjnë shumicën.
Edhe qytetarët që kishin dalë në referendum mendonin njësoj sikurse udhëheqësit e tyre politikë.
Kurse, i ashtuquajturi sekretar për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ka thënë se me referendumin në veri të Kosovës, serbët “haptazi i janë kundërvënë qeverisë së Serbisë”.
Sipas tij, referendumi është organizuar për t’i pozicionuar disa parti serbe në prag të zgjedhjeve, dhe se burimet e parave për referendumin janë “shumë të çuditshme”, gjë për të cilën “pushtetarët lokal në veri mund të kenë pasoja”.
Vendvotimet në pjesën veriore të Mitrovicës, në Zveçan dhe Zubin Potok, janë hapur që nga mëngjesi, ndërkaq të mërkurën më 15 shkurt do të hapen edhe në komunën e Leposaviqit.
Pyetja e referendumit është “A i pranoni institucionet e së ashtuquajturës Republikë e Kosovës”, ndërsa mundësia për përgjigje është “po” ose “jo”.
Institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë thënë se ky referendum është ilegal.
Komandanti i forcës paqeruajtëse të KFOR-it Erhard Drevs, ka thënë se referendumi mund të provokojë dhunë .
Ndërsa rezultatet e referendumit parashihen qartë se do të jenë për refuzimin e shtetit të Kosovës, mbetet të shihet më pas se çfarë veprimesh do të ndërmarrin serbët lokalë në veri, përkatësisht nëse do të ndërmarrin veprime politike separatiste apo do të vazhdojmë me organizmin paralel të pushtetit në veri, karshi institucioneve të shtetit të Kosovës./rtk/