Jehona e zërave të foshnjave mundet nga mjaullimat e macave. Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) macet frekuentojnë tashmë lirshëm në njërën nga hapësirat e Klinikës së Pediatrisë, në të cilën dikur ishte Reparti i Neonatologjisë.
Që nga bashkimi i këtij reparti me atë të Neonatologjisë në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, hapësirat e ish-repartit të dikurshëm të Neonatologjisë kanë mbetur në gjendje të mjerueshme.
Në këto hapësira të shndërruara në një gërmadhë prej disa muajsh, ruhet ende me fanatizëm demolimi dhe mbeturinat e mbetura që nga transferimi i repartit.
Dhomat, numri i të cilëve sillet rreth 20, e që disa kanë të hequra dhe prizmat, dritaret e thyera, shtretër të përmbysur si dhe orendi tjera krejtësisht të lëna të demoluara…, të ngjasojnë me një ambient, ku frika të shoqëron në çdo hap që shkel këmba, e kjo shtohet për punëtorët e kësaj klinike sidomos në orët e mbrëmjes.
Dritaret dhe dyert e hapura rrapullinjë, kurse era që hyn nga të çarat tjera shkakton ushtimën që përcillet nga mjaullima e macave në korridoret e Pediatrisë dhe hapësirat tjera të kësaj klinike, ku trajtohen shumë fëmijë.
Rrezik nga epidemia
Macet kanë gjetur prehje këtu. Buka e mbetur në kuzhinë mbi një karrige tash e sa muaj i fton ato (macet), përderisa këto hapësira janë frekuentuar dhe nga shpendë, por që shpejt janë bërë ushqim edhe më i dëshiruar për macet sesa buka e mbetur aty. Në njërën nga dhomat e këtij reparti puplat e shpendëve janë të shpërndara kudo. Aty nuk ka shkel këmbë njeriu. Kësaj hapësire po i dalin zot vetëm macet.
Punëtorë shëndetësorë të Klinikës së Pediatrisë nuk duan të deklarohen me emër. Por, theksojnë se tmerri fillon në ndërrimin e natës.
“Kur fryn era ushton kudo nga hapësira e Neonatologjisë, ne kemi frikë të shkojmë dhe t’i mbyllim edhe dritaret. Por, më shumë jemi duke iu frikësuar ndonjë epidemie nga macet që hanë ngordhina në këto ambiente. Hezitojmë që edhe natën të ngjitemi në ato kate dhe të ndjekim macet që mjaullijnë dhe shkaktojnë zhurmë pa pushim”, thotë ky punëtor në kushte anonimiteti.
Ky repart përbëhet nga dy kate, dhe një podrum i mbushur ujë. Punëtorët thonë se reparti do të kishte qenë në rregull dhe po të kishte kujdes ndaj tij nuk do bëhej kështu, mund të ishte i përdorshëm.
Me gjithë këtë pamje të mjerueshme në këtë ish-repart dhe kushtet nëpër spitalet rajonale jo të mjaftueshme për të akomoduar pacientët, të cilët më pas drejtohen në QKUK për trajtim, hapësirat e kësaj qendre mbesin të parinovuara për të shtuar numrin e shtretërve. Qeveria e Kosovës i ka ndarë buxhet QKUK-së për vitin 2012 prej 25.555.482.00 euro.
Mirlinda Qyqalla, zyrtare për informim në QKUK thotë se hapësira ku ka qenë Reparti i Neonatologjisë në objektin e Pediatrisë, është e nevojshme të rinovohet për nevoja të QKUK-së. “Menaxhmenti i QKUK-së e ka parasysh gjendjen e krijuar aty dhe kanë diskutuar për këtë çështje. Projekti është në përpunim”, ka thënë ajo.
QKUK-ja s’ka para për investime
Mirëpo, Qyqalla ka bërë të ditur se për t’u realizuar ky projekt ka mungesë të buxhetit. Ndërkaq, qeveria është kritikuar nga opozita për buxhet të varfër të ndarë shëndetësisë.
Grupi i ekspertëve për shëndetësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka akuzuar Qeverinë e vendit se nuk i ka dhënë prioritet dhe as vendin e merituar sektorit shëndetësor. Buxheti i paraparë për vitin 2012, sipas LDK-së, nuk parasheh asnjë rritje për investimet kapitale në shëndetësi përfshirë këtu dhe QKUK-në.
Ndërsa, Arben Vitia, drejtues i Komitetit për shëndetësi në Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë për “Zërin” se buxheti në të gjithë shëndetësinë dhe jo vetëm në QKUK është jashtëzakonisht i vogël.
“Për këtë vit buxheti për QKUK-në është pak më i lartë se vitin e kaluar, por kjo nuk vlen edhe për projekte kapitale (si në rastin e ish-Klinikës se Neonatologjisë), kështu që këtë vit mundësitë se do të bëhet diçka lidhur me këtë çështje janë shumë të vogla”, ka theksuar ai, duke vlerësuar se nuk vërehet vetëm mungesa e hapësirave, por dhe një mosmenaxhim korrekt i hapësirave ekzistuese.
“Gjithashtu kemi një moskordinim dhe mosfunksionim normal (si pasojë edhe të buxhetit të ulët) edhe të nivelit primar dhe sekondar të shëndetësisë, duke bërë që fluksi i pacientëve në QKUK të jetë tepër i lartë”.
Qeveria lë në krizë shëndetësinë
Vitia thekson se ky buxhet realisht nuk i plotëson as për së afërmi nevojat për shërbime cilësore. Me keqmenaxhimet dhe keqpërdorimet e shumta, jo vetëm ky ish-repart apo QKUK-ja, por i gjithë sektori i shëndetësisë ka ardhur në gjendje alarmante.
“Fatkeqësisht qytetarët e Kosovës nuk mund të presin as këtë vit ndryshime pozitive në shëndetësi”, ka theksuar ai, duke përmendur mungesë shërbimesh cilësore (shpeshherë edhe bazike) në shëndetësi, jo për faj të personelit shëndetësor, por si pasojë veçanërisht e mungesës së një politike të qartë qeveritare se si të dilet nga kjo situatë, dhe neglizhimit të plotë që qeveria po i bën këtij sektori.
Për gjendjen në të cilën ndodhet shëndetësia aktualisht, ai ka thënë se duhet dhënë llogari. Për të dalë nga kjo gjendje, ai thekson si opsione: përcaktimin si prioritet të shëndetësisë nga qeveria dhe të vlerësohet ndarja buxhetore, të fillohet me fondin për sigurime shëndetësore si një nga shtyllat kryesore për të dalë nga kjo situatë, emërime meritore të menaxherëve, duke shmangur nepotizmin dhe keqmenaxhimin si dhe aktivizimi i plotë i drejtësisë për të hulumtuar dhe parandaluar keqpërdorimet./zeri/