Kryeministri Hashim Thaçi i ka hapur vetes një betejë të madhe politike. Partitë opozitare po bashkërendohen që të kalojnë në Kuvendin e Kosovës një mocion që do të vendoste në dyshim fuqinë e kryeministrit. Partitë opozitare, por edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e kanë kundërshtuar gatishmërinë e Kosovës që të pranojë prezantimin në nisma rajonale me emrin Kosovë dhe me fusnotë që i referohet Rezolutës 1244.
Pasi ka parë kundërshtimet, të hënën shefi i Qeverisë i ka quajtur ”antiamerikanë dhe antievropianë” të gjithë ata që vënë dilema për përdorimin e Rezolutës 1244”.
Por “antiamerikanët dhe antievropianët” e kryeministrit Thaçi po koordinohen.
Që nga e diela pasdite kanë filluar konsultimet mes partive opozitare dhe deputetëve të pakënaqur brenda koalicionit PDK-AKR.
Qëllimi është që të mblidhen vota të mjaftueshme për të mbështetur një iniciativë të opozitës. Opozita do të iniciojë një rezolutë të Kuvendit të Kosovës kundër çfarëdo prezantimi tjetër të Kosovës në çfarëdo nisme, pos prezantimit si Republika e Kosovës. Në këtë mënyrë, opozita po mundohet që të parandalojë marrëveshjen e mundshme në Bruksel dhe të ndalë pajtimin që Kosova të prezantohet me fusnotë./koha/