I. Sh. dhe e bija e tij, M. Sh., nga Smira e Vitisë, do të dalin para Gjykatës Komunale në Viti, për shkak se në shtator 2010, ishin kacafytur fizikisht në shtëpinë e tyre, duke i shkaktuar njëri-tjetrit lëndime të lehta trupore.
Ngjarja kishte ndodhur më 11 shtator 2010 , rreth orës 19, në shtëpinë e tyre në fshatin Smirë të Vitisë. Pas një mosmarrëveshjeje që kishin ndërmjet vete, babë e bijë sulmojnë njëri-tjetrin. Ata qëllojnë me gjësende të ndryshme që ndodheshin në dhome, me ç’rast i kishin shkaktuar njëri-tjetrit lëndime të lehta trupore. Që të dy kishin kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Viti .
I. Sh. dhe M. Sh., si të paditur dhe të dëmtuar, duhej të paraqiteshin të martën në Gjykatën Komunale në Viti. Por gjykimi nuk u mbajt, sepse M. Sh., edhe pse ishte ftuar në mënyrë të rregullt, nuk ka ardhur dhe nuk e ka arsyetuar mungesën.
“Ka lujt pak bija ime”, ka thënë I.Sh. “Është nda prej burrit e fëmijëve, e mua po më bën probleme. Unë as që e kam prek, por ajo vetë i ka grrithë duart e veta, e kur ka ardhë policia, ka thënë se baba më ka lëndu”, është shprehur ai.
Gjykimi u shty për 13 mars 2012. Gjykata lëshoi urdhëresë për sjelljen me forcë të të akuzuarës./gazetajnk/