Kreu i ekipit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, ka thënë se marrëveshja për bashkëpunimin rajonal është plotësisht në përputhje me interesat kombëtarë të Serbisë.
Sipas tij, nën emrin e Kosovës në nismat rajonale do të figurojë “një yll”, ndërsa në fusnotë do të lexohet: “Ky emër nuk paragjykon statusin e Kosovës dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për deklaratën e pavarësisë së Kosovës”.
Stefanoviq ka thënë se përmbajtja e fusnotës “është plotësisht në përputhje edhe me interesat kombëtarë, edhe me Rezolutën 1244 dhe Kushtetutën e Serbisë”.
Kryenegociatori serb tha se tashmë është e qartë se Serbia i ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna nga Këshilli i Evropës, për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE./rel/