Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në një konferencë të jashtëzakonshme për media e cilësoi marrëveshjen e sotme si jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën.
Kryeministri Thaçi tha se marrëveshja e arritur në Bruksel me fusnotën e quajtur “pa paragjykim për statusin dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së dhe Opinionit të GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë, se në asnjë rrethanë nuk e zbehë shtetësinë por përkundrazi e forcon atë. Ai tha se Rezoluta 1244 nuk mund të quhet ndryshe vetëm mbetje historike e asgjë më shumë.
Kryeministri gjithashtu i siguroi qytetarët e vendit se askush nga institucionet e Kosovës nuk ka heq dorë nga pavarësia dhe integriteti territorial, e kjo nuk po bëhet as me marrëveshjen e arritur ne Bruksel.
Kryeministri megjithatë pranoi se kjo fusnotë nuk është më e mira, por sipas tij është më e pranueshmja për momentin politik që po kalon Kosova dhe rajoni. Ai tha se kjo është formulë e përkohshme e arritur me miqtë ndërkombëtar.
Kreu i ekzekutivit tha se marrëveshja e sotme i sjellë shtetit tonë integrimet evropiane dhe e bënë Kosovë evropiane. Ai tha se në këtë rast nuk flet vetëm për liberalizim të vizave dhe marrëveshjet tregtare, por edhe për procesin e stablizim associimit.
Me pranimin e kësaj marrëveshjeje, kryeministri i Kosovës i tha gazetarëve se vendi ynë që sot nga shtetet e Bashkimit Evropian trajtohet si subjektivitet shtetëror me qasje evropiane. Ai madje i bëri thirrje opozitës që ti lënë anash interesat partiake por të punojnë bashkë me institucionet e vendit që të forcohet shteti./rtk/