Edhe PDK-ja e pakënaqur me vendimin Thaçit

Kryeministri Hashim Thaçi ka marr “dush të ftohtë” gjatë një takimi që ka zhvilluar me grupin parlamentar të PDK-së, të enjten. Burime të gazetës brenda kësaj partie, kanë konfirmuar për “Kohën Ditore” se një numër i deputetëve e kanë akuzuar shefin e partisë për veprime të nxituara që e dëmtojnë interesin e shtetit. “Disa prej deputetëve që njihen si më radikalë në parti, i kanë thënë haptas Thaçit se nuk është dashur të pranonte që shteti të përfaqësohet me fusnotë, e aq më pak kur në të figuron Rezoluta 1244”, ka thënë një nga deputetët e PDK-së, që ka marrë pjesë në atë takim.

Ai nuk ka pranuar t’i specifikojë emrat e atyre që e kanë “kundërshtuar” Thaçin, por ka siguruar se ata janë të njëjtët që dalin në të shumtën e rasteve me qëndrime të pavarura nga ato të partisë. Se takimi i Thaçit me deputetët e PDK-së është përcjellë me tensione, e ka pranuar edhe një nga anëtarët e Kryesisë së kësaj partie.

“Thaçi është akuzuar nga disa deputetë për anashkalim të organeve të partisë gjatë marrjes së vendimeve. I është thënë se nëse nuk mundet t’u përballojë presioneve të jashtme, së paku të konsultohet me organet e partisë para se të dalë me ndonjë vendim madhor”, ka thënë deputeti tjetër. Po i njëjti deputet ka shtuar se disa aktivistë të vjetër të partisë nuk kanë mundur ta përpijnë faktin që për shumë zhvillime në parti e në Qeveri shumë më shpejt informohen të “rekrutuarit e rinj”, sesa ata.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat