Ashtu siç ishte paralajmëruar, në Prishtinë ka nisur protesta e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila synon ta bllokojë për katër orë punën e Qeverisë së Kosovës. Protesta zhvillohet në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes për fusnotën, me të cilën Kosova do të përfaqësohej në forumet rajonale. Janë mbledhur disa mijë protestues nga gjithë Kosova.
Në këto momente po flet nënkryetari i kësaj lëvizjeje, Visar Ymeri. Ai pos akuzave ndaj Qeverisë se po kthen prapa statusin e vendit, për çka është derdhur gjak, kërkoi që ai dhe qeveria që drejton të japin dorëheqje.
Vërehen forca të shtuara të Policisë në kryeqytetet dhe rrethoja mbrojtëse para Qeverisë së Kosovës.
Rrethojat mbrojtëse janë vënë para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, ndërsa para Teatrit Kombëtar lëvizja Vetëvendosje po u drejtohet pjesëmarrësve. Ndërkohë liderët e Vetëvendosjes i bën thirrje ultimative policisë që brenda 15 minutash t’i heqë rrethojat, në të kundërtën këtë do ta bëjnë protestuesit.
Protesta, siç është paralajmëruar, do të zgjasë katër orë, me sloganin “Pezullimi i qeverisë për katër orë”./koha/