Përfundon qetë protesta e “Vetëvendosjes”

Ka përfunduar protesta katër orëshe e Lëvizjes “Vetëvendosje”. Zyrtarë të saj kanë thënë se e ardhmja e popullit shqiptar përmblidhet në vullnetin e tij për liri e pavarësi. Prandaj, populli i Kosovës, sipas tyre duhet ta pezullojë këtë Qeveri e cila po e pezullon shtetin e Kosovës.

Protestuesve të mbledhur para ndërtesës së Qeverisë iu është drejtues kryetari i Lëvizjes ”Vetëvendosje”, Albin Kurti, i cili tha se protesta po zhvillohet kundër kësaj qeverie që shkel mbi popullin në emër të pushtetit. Kurti po ashtu tha se kjo qeveri ia hoqi popullit Republikën që ma vonë t`ia heq edhe veriun. Prandaj, sipas tij ”Vetëvendosje” do ta pezullojë këtë qeveri që e solli fusnotën.

“Ne jemi ata të cilët nuk do të lëshojmë pe për kurrfarë çmimi. Por, sa më të fuqishëm që jemi ne aq më të rrezikuar do të jemi. Kjo do të thotë se ata në javët dhe muajt në vijim do të mund të na arrestojnë e dënojnë. Mirëpo, nëse ne edhe njëmijë herë do të biem, njëmijë e një herë do të ngritemi.”, tha Kurti para protestuesve.

Ndërkaq, Kryetari i Grupit parlamentar, Visar Ymeri, duke folur para demonstruesve, tha se republika nuk është një shtesë kot në emrin shtetëror. Ajo është e shtetit dhe pa të nuk mund ta kemi as shtetin.

“Republikën po tentojnë të na heqin ata që nuk e duan një shtet të përbashkët për të gjithë. Por, që e duan një shtet që iu konvenon vetëm atyre. E këta janë pushtetarët e Kosovës të cilët e hoqën reciprocitetin me Serbinë e të cilët tash po e heqin edhe republikën”, tha Ymeri.

Pas këtij fjalimi, Ymeri i bëri thirrje policisë që mos t’i provokojnë protestuesit dhe t`i lejojnë ta zhvillojnë protestën ashtu siç e kishin planifikuar. Më pas, protestues dhe deputet të lëvizjes

”Vetëvendosje” kanë hequr pengesat në Sheshin Skënderbe, që i ndanin nga objekti i Qeverisë dhe i janë ofruar edhe më shumë objektit. Gjatë largimit të pengesave policia nuk ka intervenuar.

Kryetari i ”Vetëvendosje”, Albin Kurti ka paralajmëruar sërish protesta te Dheu i Bardhë, Merdare, Prishtinë e edhe qytete tjera të Kosovës, ngase, sipas tij, nuk po mjafton vetëm zëri në parlament, ashtu sikurse nuk po mjaftojnë as protestat./rtk/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat