Rrugët në terr, kryqi e sheshi harxhojnë rrymë sa të duan!

Vendimi i qeverisë që të kursehet rryma elektrike, tanimë më shumë se një javë është duke u respektuar por vetëm nga komunat, të cilat i kanë fikur të gjitha dritat e rrugëve. Edhe pse ishte paraparë që të fiken edhe dritat e reklamave, megjithatë kjo ka ndodhur shumë pak.

Por qytetarët të revoltuar nga kjo masë për shkak të territ të madh që mbretëron në Shkup dhe qytetet tjera, ankohen se harxhuesit më të mëdhenj të rrymës vazhdojnë të shpenzojnë sërish.

“Të ecish natën nëpër Shkup të ndjell frikë. Por mua më habit një fakt tjetër. Pse shndrit kryqi në malin Vodno të Shkupit, ai harxhon shumë më shumë rrymë se ndonjë rrugë që është e patjetërsueshme të ketë ndriçim”, thotë Selim Shaqiri, një qytetar nga Shkupi.

Sipas kalkulimeve Kryqi gjigand në malin Vodno të Shkupit brenda një muaji harxhon 1000-1500 euro rrymë elektrike.

Gjithashtu qytetarët janë të revoltuar se vazhdojnë të ndriçojnë pa asnjë arsye të gjitha objektet e projektit “Shkupi 2014”, siç janë përmendoret dhe godinat e ndërtuara, dhe disa të tjera të cilat janë ende në fazë të ndërtimit.

“Ndriçojnë përmendoret dhe objektet të cilat ende nuk janë ndërtuar. Këto harxhojnë rrymë”, tha Shaqiri.

“Zhurnal” më parë kishte njoftuar se qytetarët nuk i fikin reklamat dhe dritat para shitoreve nga frika e hajdutëve të cilët mund t’ua thyejnë xhamat ose diçka të ngjashme.

Qytetarë të ndryshëm ankohen se nuk mund të kursejnë rrymë pasi është ende moti i ftohtë dhe e kanë patjetër të ngrohen.

“Edhe ne nuk dëshirojmë të na vijnë fatura të larta. Edhe pse çmimi i rrymës është mjaft i lartë ne e kemi të patjetërsueshme të harxhojmë rrymë, pasi kemi nevojë për ngrohje”, tha Shaqiri.

Ndryshe, qeveria kishte njoftuar se gjatë javës mund të ndodhë edhe ndërprerja e kësaj mase restriktive për kursimin e rrymës pasi moti ka filluar të ngrohet dhe furnizimi me rrymë elektrike është i mjaftueshëm./zhurnal/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat