Mijëra qytetarë të Gostivarit dhe qyteteve tjera, duke brohoritur ‘drejtësi për të gjithë’, kanë marshuar sot nga gjykata e Gostivarit deri në qendër të qytetit, në shenjë revolte kundër vrasjes së dy të rinjve shqiptar. Organizatorët e këtij marshi kanë kërkuar nga organet e drejtësisë që të dënojnë krimin dhe kriminelët të marrin dënimin e maksimal. Organizatori i kësaj proteste po ashtu ka kërkuar nga zëdhënësi i MPB Ivo Kotevski që të kërkojë falje publike për prononcimin e tij në mbrojtje të vrasësit.
“Qëllimi I këtij marshi protestues është sensibilizimi i opinionit si brenda ashtu edhe jashtë dhe të njoftojmë gjithë botën se çka iu ndodh shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Jemi këtu që ti tregojmë gjithë botës se nuk lejojmë dikush të shkel mbi institucionet dhe të shpall kriminelin ordiner të pafajshëm. Kërkojmë nga zëdhënësi I MPB-së Ivo Kotevski, që në afat sa më të shkurtë të kërkoj falje publike për deklaratat ku dëshmonte se vrasja është kryer në vetëmbrojtje, kërkojmë nga MPB dhe gjykata që të mos jenë indiferentë për rastin në fjalë por në kohë afatshkurte vrasësit t’ia shqiptojnë dënimin e duhur maksimal”, deklaroi Armend Sejdiu, anëtar I kshillit organizativ.
Në protestë u dëgjuan parullat ‘ Ivo Kotevski out’,’Duam Drejtësi’, ‘Polic kush e ka radhën’ dhe ‘Bashkëjetesë me kë …’.
Përfaqësuesi i Shoqërisë Civile, Albert Musliu, ka vlerësuar aktin e vrasjes së dy shqiptarëve në Gostivar si gjenerator të mundshëm të prishjes së bashkëjetesës në Maqedoni.
“Këtë akt e vlerësojmë si gjenerator të mundshëm të prishjes së mëtejme të bashkëjetesës në Gostivar dhe më gjerë. Me këtë rast shprehim ngushëllimet më të thella deri tek familjarët dhe shokët e të vrarëve. Shoqëria civile kërkon nga organet e drejtësisë që pa ndikim politik dhe të vetëdijshëm për peshën e rëndë të vrasjeve makabre në prishjen e bashkëjetesës të ndriçoj rastin deri në fund dhe vrasësi të merr dënimin e merituar”, tha Albert Musliu, përfaqësues I ‘Shoqërisë Civile’.
Kreu i Komunës së Gostivarit Rufi Osmani, edhe pse ishte në vij të parë të protestës nuk iu dha fjala e rastit. Ndryshe protesta ka kaluar e qetë , ndërsa pas përfundimit të protestës një grup qytetarësh ka thyer një xham të gjykatës me topa bore si dhe xhamat e dy lokaleve./alsat-m/