Nis manifestimi “Epopeja e UÇK-së”

Në nderim të jetës dhe veprës heroike të komandantit legjendar dhe dëshmorëve të tjerë të rënë për lirinë e Kosovës, në Kazermën Ushtarake “Adem Jashari” në Prishtinë, sot nisi manifestimi tradicional “Epopeja e UÇK-së”. Kryeministri Hashim Thaçi tha se ky përvjetor po e gjen Kosovën me një progres të madh. Ndërsa përfaqësuesi familjes Jashari, Bekimi, beri thirrje për bashkim.

Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tregon përkushtimin dhe gatishmërinë e popullit shqiptar për t`u çliruar nga okupimi shekullore. Kështu u tha në hapje të manifestimit tradicional “Epopeja e UÇK-së”, që mbahet me rastin e 14 vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari. Kryeministri Hashim Thaçi, nën patronazhin e të cilit mbahet manifestimi, tha se 14 vjetori i Epopesë, Kosovën po e gjen me një progres të madh në rrugën e sajë drejtë shtet-ndërtimit, të njohur nga 88 shtete.

“Në 14 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, Kosova ka hyrë në fazën e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, duke dëshmuar përgjegjësi, mençuri dhe aftësi shtet ndërtuese. Me punën dhe mendjen tuaj, Kosova do të bëhet tregim i suksesshëm i tazes së tretë, asaj të integrimit në Bashkim Evropian dhe në NATO”, tha kryeministri Thaçi.

Ndërsa komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, duke folur për ndikimin që pati lufta e Jasharjave në Prekaz, tha se ajo shënoi kthesën e madhe historike për mbarë shqiptarët.

“Ideja për luftën çlirimtare u njësua me një udhëheqës simbol, me emrin e Adem Jasharit, që ishte dhe mbetet figura më madhështore dhe më frymëzuese e rezistencës së popullit tonë. Adem Jashari dhe idealet e tij, me luftën e pashoq dhe vetëflijim, trasoi rrugën e pa kthyeshme të popullit tonë drejtë lirisë dhe çlirimit”, tha Kastrati.

Ndërsa, në emër të familjes Jashari, foli Bekim Jashari, i cili bëri thirrje për bashkimi në mënyrë që të forcohet shteti i Kosovës.

“Vallë, ne sot pse duhet ta kemi kaq të vështirë që të jemi bashkë. Ta duam dhe ta ndihmojmë njëri tjetrin që ta qojmë këtë vend përpara dhe ta bëjmë shtet të fortë dhe konkurrent me shtetet tjera”

Manifestimi “Epopeja e UÇK-së”, vazhdon me aktivitete të tjera nesër dhe pasnesër duke u përmbyllur me Natën e Zjarreve në Prekaz, më 7 mars./rtk/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat