Ku të shkohet me fusnotë?!

Qeveria e Kosovës ka përgatitur regjistrin për aplikim dhe anëtarësim eventual në nisma dhe konferenca rajonale dhe evropiane.

Ambiciet e Qeverisë për anëtarësim në këto nisma, janë shtuar pas marrëveshjes së arritur në dialogun me Serbinë, e cila është pajtuar se nuk do ta kundërshtojë më përfaqësimin e Kosovës në nisma rajonale nëse ajo përdor fusnotën.

Zëvendësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi, thotë se do të shqyrtohen prioritetet, dobitë, por edhe kostoja e përfshirjes në nisma të ndryshme, pasi që numri i tyre është tejet i madh.

“Pengesa kryesore për pranimin e Kosovës në organizata shumëpalëshe ka qenë kundërshtimi i Serbisë dhe meqë është gjetur moduli që Serbia dhe Kosova të ulen në të njëjtën tavolinë në nivelin rajonal, mendoj që kjo do të përdoret si formulë edhe në nivelet më të gjera të pjesëmarrjes në këta mekanizma shumëpalësh”, thotë Gashi.

Mirëpo, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni, thotë se fusnota e ka komplikuar edhe më shumë procesin e anëtarësimit të Kosovës në nisma dhe organizata ndërkombëtare.

“Fusnota nuk do ta ndihmojë Kosovën shumë që të anëtarësohet në çfarëdo organizma ndërkombëtarë. Vështirë që do të ketë anëtarësime, sepse mos harroni që gjithandej ku anëtare është Serbia dhe ku anëtarësimi bëhet mbi bazën e konsensusit, Kosova sërish do ta ketë shumë problem të anëtarësohet. Vështirësitë nuk kanë përfunduar me këtë, përkundrazi unë kam drojë që janë shtuar pengesat dhe është shtuar konfuzioni”, shprehet Hyseni.

Përveç pretendimeve për anëtarësim në OKB, BE, NATO dhe organizata tjera ku Kosova do të duhet të presë me vjet për kandidim, ndër pretendimet tjera pas shpalljes së pavarësisë kanë qenë kontrolli i hapësirës ajrore, pastaj marrja e kodit telefonik e deri te marrja e domenit të internetit apo edhe anëtarësimi në FIFA, UEFA, Komitetin Olimpik e tjera.

Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse fusnota mjafton për realizimin e pritjeve të tilla./REL/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat