Vëllezërit Hamdi e Fatos H. Nga fshati Dobratin, e kanë rrahur burrin e motrës së tyre Fatmir H. nga Podujeva para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Komunale në këtë qytet, Behxhet Muçiqi. “Arsyeja” e gjithë kësaj ngjarje që ka ndodhur më 8 mars, ka qenë kërkesa e Fatmirit për t’u ndarë me gruan Miniren që jeton tash e 10 vjet me të, pasi ai kishte gjetur dikë tjetër. Miqtë e Fatmirit, nuk i ka penguar prezenca e gjyqtarit për ta sulmuar atë derisa gjendeshin në zyrën e Behxhet Muçiqit “për t’u marrë vesh”.
Rastin e ka konfirmuar edhe komandanti në detyrë në Stacionin Policor në Podujevë, Naim Latifi. Ai të shtunën ka thënë se pas mbajtjes së të dyshuarve për 48 orë, ata janë liruar me kush që të paraqiten në Polici dy herë në javë.
Ndërkohë, burime të gazetës kanë thënë se Fatmiri kishte pasur edhe një grua tjetër më herët dhe se Minirja ishte gruaja e tij e dytë. Sipas të njëjtave burime Fatmiri dhe Minirja nuk kanë kurorëzim, megjithëse kanë disa fëmijë./koha/