Policia në Gjilan ishte informuar për një rast “Vjedhje e rëndë”, që kishte ndodhur, rreth orës 01:20, në lagjen “Dheu i Bardhë” në Gjilan. Njësitet patrulluese nga stacioni Policor i Gjilanit me urgjencë kanë shkuar në vendngjarje.
Sipas hetimeve të para, të dyshuarit fillimisht kanë depërtuar me forcë, me qëllim të vjedhjes, në shtëpinë e njërit prej vëllezërve Këqiku, i cili me familje jeton dhe punon jashtë shtetit.
Dy vëllezërit e tij, të cilët ishin përgjegjës për t’i ruajtur shtëpinë, Isen Këçiku (1962) dhe Hajredin Këçiku (1959), kishin vërejtur lëvizjet e të dyshuarve në shtëpinë e vëllait të tyre dhe kanë reaguar. Me këtë rast, ka pasur një konfrontim fizik ndërmjet dy vëllezërve të moshës së mesme dhe hajnave, tre djem, dy rreth 20-vjeçarë dhe tjetri rreth 30-vjeçar.
“Në përleshje e sipër të dyshuarit kanë përdorur mjete të mprehta, thikë, me ç’rast i kanë shkaktuar plagë të rënda viktimave dhe më pas kanë ikur në drejtim të panjohur”, ka njoftuar Zyra për Informim e Policisë në Gjilan.
Viktimat me urgjencë janë dërguar në Qendrën e Emergjencës Rajonale në Gjilan për trajtim spitalor . “Përkundër përpjekjeve të bëra nga ana e personelit mjekësor nga plagët e marra, viktima Isen Këçiku ndërroi jetë, përderisa viktima Hajredin Kçiku i lënduar rëndë është transferuar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë për trajtim të mëtejmë”, njofton policia.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i të ndjerit Isen Këçiku është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për kryerjen e obduksionit.
“Njësitet e hetimeve rajonale në orët e hershme të mëngjesit të sotëm kanë vazhduar me procedimin e vendit të ngjarjes dhe fillimisht kanë gjetur dëshmi që lidhen direkt me figurën e veprës penale dhe pas një kohe të shkurtër përmes rrugëve operative kanë arritur që të lokalizojnë tre të dyshuar të mundshëm si kryes të kësaj vepre të rëndë penale, që ka tronditur jo vetëm banorët e Gjilanit, por edhe më gjerë. Ata janë arrestuar nga ana e policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tre të dyshuarit e arrestuar janë L. (M) Zeqiri, (1994), F. (T) Leci (1993) dhe L. (V) Zeqiri (1983), shtetas të Kosovës me vendbanim të përhershëm në komunën e Gjilanit. Ata janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe në bazë të deklarimeve të tyre ekziston dyshimi i bazuar se ata mund të jenë të involvuar në këtë incident.
Me vendim të prokurorit ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë./gazetajnk/