Sipas aktakuzës, B. Bytyqi, më datën 17 korrik 2011, derisa po punonte si taksist me një kombibus, në rrugën Komoran-Drenas, kishte tentuar që udhëtaren e vetme në kombi, tash të dëmtuarën D. Ibriqi ta bindë që të ketë marrëdhënie seksuale, duke i premtuar edhe të holla.
Ibriqi nuk kishte pranuar dhe e kishte lutur mos ta prekte dhe t’ia ndalte kombin. Por i pandehuri nuk e ka përfillur, madje ka tentuar ta afrojë nga vetja. “Sot gjithqysh duhet të kesh marrëdhënie me mua”, i ka thënë ai. Pas kësaj, vajza ka hapur derën e kombit dhe ka kërcyer në tokë, me ç’rast ka marrë lëndime të rënda trupore.
I pandehuri edhe pse pa shumë fotografi që avokati i të dëmtuarës i ofroi gjykatës si prova, nuk e pranoi fajësinë. Ai tha se nuk ndjehet aspak fajtor për këtë vepër që i ngarkohet.
Prokuroria Publike Komunale në Prishtinë kërkoi nga gjykata që ta bëjë konfirmimin e kësaj aktakuzë me qëllim që lënda të shkojë në shqyrtim kryesor.
Gjyqtari i çështjes, Daut Behrami, e konfirmoi aktakuzën./gazetajnk/