Larg nga liberalizimi!

Qytetarët e Kosovës, të paktën gjatë këtij viti, nuk do të mund të lëvizin pa viza, ashtu sikurse që ishte premtuar nga qeveritarët e vendit. Ngecjet e shumta në fushën e drejtësisë, në sundimin e ligjit dhe në luftimin e korrupsionit, si kritere kryesore për liberalizim vizash, edhe për një kohë të gjatë do t’ia pamundësojnë qytetarit të vendit që të lëvizë lirshëm në zonën Shëngen.

Në janar të këtij viti ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, gjatë një interviste për mediet ka thënë se “beson që deri në fund të vitit 2012 kosovarët do të lëvizin pa viza”. Ajo madje, pati deklaruar se Prishtina zyrtare është e vetëdijshme se kriteret që duhet t’i plotësojë Kosova, që janë kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare janë më të rënda sesa ato të cilat janë kërkuar për vendet tjera të rajonit.

Por, një burim ndërkombëtar i ka thënë “Zërit” se kosovarët nuk duhet të “shohin ëndrra” se do të arrijnë të lëvizin pa viza së paku edhe njëzet e katër muaj. “Unë habitem kur i dëgjoj deklaratat e disa qeveritarëve në Kosovë, të cilët thonë se shumë shpejt Kosova do të përfitojë liberalizimin. E para, ju nuk i keni plotësuar as për së afërmi kriteret për liberalizim, e dyta edhe për t’i plotësuar ato nuk është e mundur para njëzet muajve”, ka thënë ai.

Ky zyrtar ndërkombëtar ka deklaruar se drejtuesit e Qeverisë së Kosovës e kanë problem serioz me sundimin e ligjit dhe më pak problem çështjen e menaxhimit të kufijve. Sipas tij, derisa të mos jetë në nivel të duhur sundimi i ligjit, qytetarët do të bëhen viktimë e politikës.

Njohësi i mirë i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, thotë se Kosova ka përparuar

dukshëm në raport me menaxhimin e integruar të kufijve, por, sipas tij, sfidë e madhe mbetet sundimi i ligjit, ku përveç luftimit të korrupsionit i domosdoshëm është edhe rregullimi i infrastrukturës ligjore, e cila i paraprin konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

“Menaxhimi i Integruar i Kufijve (IBM) patjetër që është njëra prej kritereve tepër të rëndësishme për liberalizimin e vizave, ne kemi problem në veri, por çështja e marrëveshjes që ka bërë Kosova me Serbinë në Bruksel synon që ta zgjedhë çështjen e menaxhimit të integruar dhe është në vijë me kriteret që kërkohen të plotësohen për procesin e liberalizimit të vizave”, thotë Muahrremi, duke shtuar se tashmë “topi” është te Serbia, prej të cilës varet nëse do ta zbatojë ose jo marrëveshjen.

“Nëse zbatohet marrëveshja që është arritur me Serbinë, Kosova do ta arrijë kushtin për menaxhim të integruar të kufijve”, thotë ai, duke u shprehur pesimist se Serbia do ta zbatojë marrëveshjen.

Sipas tij, çështje shumë më komplekse sesa menaxhimi i integruar i kufijve është sundimi

i ligjit, gjë në të cilën Kosova është shumë mbrapa. “Ne ende nuk kemi legjislacion të mirëfilltë për konfiskim të pasurisë së paligjshme. Ende nuk ekziston vullnet veprues për ta luftuar qoftë korrupsionin, qoftë për të investuar më shumë që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, të jetë efiçentë, dhe të marrë vendime profesionale”, thotë Muharremi.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama, thotë se liberalizimi i vizave është duke shërbyer si vegël me të cilën bashkësia ndërkombëtare po e shantazhon palën kosovare që gjatë procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi të lëshojë pe në raport me palën serbe.

“Së dyti, lufta ndaj krimit dhe korrupsioni si njëra nga kushtet, e bën procesin të pamundur, ngase kjo qeveri nuk mund t’i i prijë kësaj lufte, meqenëse vetë është pjesë e krimit dhe korrupsionit dhe gjithashtu e kontrollon sistemin e drejtësisë”, thotë ajo.

Çitaku: Po punojmë pareshtur për liberalizimin

Gjatë një prononcimi për “Zëri”, ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, ka thënë se Kosova ka përparuar shumë në raport me Menaxhimin e Integruar të Kufijve, dhe se Serbia i bart pasojat e moszbatimit të marrëveshjes dhe jo Kosova.

“Normalisht që Kosova ka probleme kronike sa i përket sundimit të rendit dhe ligjit. Megjithatë, në ekzistencën tonë katërvjeçare si shtet ne kemi arritur që me hapa të shpejtë të ndërtojmë një infrastrukturë ligjore jashtëzakonisht të avancuar, po ashtu të krijojmë kushte për punë për prokurorët, gjyqtarët, policët, pakrasimisht më të mira sesa vendet tjera të rajonit”, ka thënë ajo./zeri/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat