Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe biznesmeni Remzi Ejupi, që nga 29 marsi i këtij viti do të bëhen zyrtarisht aksionarë të Hotelit “Grand”.
Këta dy janë bashkuar, duke dhënë garancinë bankare prej 20 milionë eurove dhe duke bindur Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) se i kanë plotësuar të gjitha kushtet.
Burime të gazetës “Lajm” brenda AKP-së, kanë bërë të ditur se Pacolli dhe Ejupi do të shpallen aksionarë legjitimë më 29 mars, kur edhe do të jepet vendimi përfundimtar për fatin e këtij hoteli.
“Dokumentet e sjella për herë të parë nga Behgjet Pacolli dhe Remzi Ejupi, nuk kanë arritur ta bindin komisionin e AKP-së.
Kjo për faktin se ka pasur disa mungesa në draftin e dërguar. Për këtë edhe është shtyrë vendimi deri më datën 29. Por, me këtë datë, këta dy do të shpallen aksionarë legjitimë, pasi që tani është dërguar garancioni bankar dhe dokumentet e korrigjuara ashtu si është kërkuar nga komisioni i AKP-së”, ka thënë për “Lajm” një burim brenda AKP-së.
Ai më tutje ka bërë të ditur se pasi këta dy të bëhen aksionarë të hotelit, kanë mundësi edhe ta ndërrojnë pronarin.
“Nëse ata pajtohen mund të ketë edhe ndërrim të pronarit të këtij hoteli. Kjo mund të bëhet pasi që kanë ofruar garancionin prej 20 milionë eurove dhe me këtë mund të bëjnë edhe ndryshime tek pronari aktual”, ka shpjeguar burimi për gazetën.
Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), nuk kanë dashur të flasin shumë për këtë çështje, pasi sipas tyre, të gjitha janë thënë në komunikatën e dërguar dhe vendimi do të bëhet publik në datën e caktuar.
“Nuk kemi çka të themi më shumë. Komunikata i thotë të gjitha, në të është e cekur edhe data 29, kur do të shpallet vendimi përfundimtar. Deri atëherë ne nuk mund të shtojmë asgjë tjetër”, ka thënë Ylli Kaloshi, zyrtar për informim në AKP. E, në njoftimin e AKP-së, të dërguar ditë më parë për media, thuhet se komisioni ka kërkuar nga Bordi që ta shtyjë vendimin për kthim të aksioneve të Hotel “Grandit” deri më 29 mars, gjë që është pranuar nga Bordi. “Komisioni ka shqyrtuar dokumentacionin e pranuar nga blerësi i ndërmarrjes së re Hotel “Grand”.
Dokumentacioni i sjellë në Agjenci nuk e ka bindur Komisionin që të kërkojë nga Bordi anulimin e vendimit të datës 16 dhjetor 2011 për kthim të aksioneve. Mirëpo, nga dokumentacioni i pranuar, Komisioni ka konstatuar se ekziston vullneti i mirë i blerësit që t’i përmbushë zotimet e marra dhe ka kërkuar nga Bordi që ta shtyjë ekzekutimin e vendimit për kthim të aksioneve.
Bordi i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese të Komisionit dhe si rrjedhojë, afati për ekzekutim të vendimit për kthim të aksioneve të Hotel “Grand” është shtyrë deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të datës 29 mars 2012”, thuhet në komunikatën e AKP-së.
Remzi Ejupi, ditë me parë kishte pranuar edhe publikisht se do të bashkohen me Behgjet Pacollin dhe do të kthehen si bashkëaksionarë në “Grand”.
Hoteli “Grand” ishte privatizuar me një çmim prej rreth 8 milionë eurosh, me zotimin se për dy vjet do të investoheshin rreth 20 milionë euro si dhe do të punësoheshin mbi 400 punëtorë. Ndërkohë, si pronar i vetëm qe shpallur Zylqif Berisha, derisa më vonë dolën si pretendentë për 60 për qind të aksioneve në hotel, përfaqësuesi i “Eurokohës”, Remzi Ejupi dhe asokohe ai i “Mabetexit”, Behgjet Pacolli./lajmonline/