Arsimtari rrah nxënësin, kanoset me armë

Arsimtari e ka pranuar se ia “ka ngrehur veshin” nxënësit J. A., pasi ai po bënte probleme, dhe në një rast e kishte fyer rëndë.

Sipas aktakuzës, më 2 nëntor 2011, rreth orës 11:15, arsimtari F. S., në objektin e shkollës, i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore nxënësit Jetmir A . Pasi e kishte ofenduar, arsimtari e godet Jetmirin me shuplaka dhe grushte në fytyrë, në qafë dhe në shpinë.

Kurse H. S., axha i Jetmirit, posa merr vesh se i është rrahur nipi, merr pushkën e gjuetisë dhe me traktor shkon te shkolla. Me qëllim frikësimi dhe kërcënimi, ai ia drejton pushkën e gjuetisë arsimtarit, me çka ka kryer veprën penale “mbajtje e armëve pa leje”.

Gjykata ka konfirmuar aktakuzën edhe ndaj axhës tjetër, A. S., i cili ditën e njëjtë e kishte ndalur autobusin në të cilin ndodhej arsimtari. Pasi e kupton cili është, ai e pyet pse ia kishte rrahur nipin. “E kam rreh se ma ka pru shpirtin në fyt”, përgjigjet arsimtari.

Atëherë A. S., me qëllim frikësimi, e nxjerr revolen duke ia treguar, me ç’rast ka kryer veprën penale "mbajta pa leje e armëve”.

Pas leximit të aktakuzës, të gjithë të pandehurit u deklaruan të pafajshëm.

“Nuk e ndiej vetën fajtor dhe nuk është e vërtetë se e kam lënduar Jetmirin, duke e goditur. Por është e vërtetë se e kam kapur për veshi, sepse në orën time kallte letra në bankë”, ka thënë arsimtari i Fizikës dhe Kimisë, F. S.

“Edhe pas shumë lutjeve, ai nuk mori vesh. I thashë: ‘Mos Jetmir se te shkruaj në vërejtje’. Ma ktheu: ‘A po e don lapsin e zi, a të kuq’. E kur doli nga ora më tha: ‘O mësues, ma han k...’”, ka treguar arsimtari, duke mos ngurruar që të transmetojë besnikërisht edhe fyerjen e rëndë që nxënësi ia ka bërë, edhe në prani të nxënësve të tjerë.

Andaj, ai i kërkoi gjykatës që mos ta konfirmojë aktakuzën.

Edhe dy të akuzuarit e tjerë deklaruan se nuk e ndiejnë veten fajtorë. Ata thanë se nuk ka prova se e kanë kryer veprën që iu vihet në barrë dhe se arma e cila pretendon prokurori se është përdorur, nuk është gjetur, e as konfiskuar. “Kjo vepër që na vihet në barrë, bazohet vetëm në thashetheme”, tha njëri nga vëllezërit.

Ndërkaq babai i nxënësit të rrahur, R. A. deklaroi se nëse F. S. heq dorë nga ndjekja e vëllezërve të tij, dhe ai do të hiqte dorë. Por në fund, ai iu bashkua ndjekjes penale dhe kërkoi që dëmi i shkaktuar t’i kompensohet.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, Bujar Nevzati, i tha Gazetës JnK se është njoftuar për rastin. “Me sa e di unë, me ndërmjetimin e zyrtarëve të arsimit, palët janë pajtuar”, tha ai.

Nevzati konfirmoi se i ka shqiptuar arsimtarit një vërejtje me shkrim “për shkelje disiplinore”./gazetajnk/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat