14 vjet të luftës në Dukagjin – thirrje për unitet

Në 14 vjetorin e fillimit të luftës frontale të UÇK-së, në Dukagjin, Gllogjani sot ka bashkuar krerët më të rëndësishëm shtetëror e partiak nga të gjitha viset shqiptare. Mijëra qytetarë e ish-luftëtarë kanë kujtuar dhe nderuar luftën e shenjtë të UÇK-së, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në këtë përvjetor të 14-të, kryefjalë e tubimit ka qenë kontributi i kryeprotagonistit të kësaj lufte, Ramush Haradinajt.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka vlerësuar lartë luftë në beteja dhe tani në tribunalin e Hagës të komandantit Ramush Haradinaj, për të cilin ka thënë se beson që sërish do të dali fitimtar duke dëshmuar edhe njëherë pastërtinë e luftës së UÇK-së.

“Ne besojmë në drejtësinë ndërkombëtare ashtu siç besojmë në pastërtinë prej loti të luftës sonë çlirimtare, prandaj presim që edhe komandanti Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij të shpallen së shpejti të pafajshëm dhe t’i kthehen Kosovës dhe familjeve të tyre te dashura”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se 24 marsi i vitit 1998 ka bashkuar shqiptarët dhe botën demokratike, në luftën për lirinë e Kosovës. Përderisa, Albin Kurti, lider i lëvizje Vetëvendosje, ngjarjet si 24 marsin e vitit 1998 i ka cilësuar si udhërrëfyes të ecjes sonë të drejtë.

Mesazh bashkimi dhe uniteti politik e shtetëror, nga kulla e Haradinajve ka dhënë Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

“Ky tubim sot duhet të jetë mesazh i të gjitha strukturave, i gjithë neve që të jemi unik, të vazhdojmë rrugën bashke, t’i dërgojmë qëllimet tona, amanetin e dëshmorëve tonë ku ata dëshiruan, të shfrytëzoj rastin të përshëndesim njeriun e madh i cili sot nuk gjendet në mesin tonë, zotin Ramush Haradinaj”, ka thënë Jashari.

Ndërsa në emër të familjes Haradinaj, ka folur, deputeti në Kuvendin e Kosovë, Daut Haradinaj i cili ka falënderuar të pranishmit duke thënë se lira, ashtu si është fituar edhe do të mbrohet me gjak. /Kosovapress/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat