Kalon Ligji për Prizrenin

Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor më mbledhjen e tij të sotme ka pas në rend të ditës shqyrtimin e Projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit. Shqyrtimi i këtij Projektligji, ka sjellë në mbledhjen e komisionit sërish kryeministrin, Hashim Thaçi dhe shefin e ICO-së, Peter Faith, për të kaluar ky projektligj, që është pjesë e pakos së presidentit Ahtisari. Ndërkaq, mbledhja është braktisur nga Lëvizja Vetëvendosje.

I pakënaqur më me ecurinë e këtij projektligji, në mënyrë demonstrative ka lëshuar mbledhjen deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu. Ai tha se ligji është i ndikuar politikisht dhe si i tillë bënë instrumentalizimin e trashëgimisë në bazë nacionaliste.

“Ligji për Prizrenin është i ndikuar politikisht. Trashëgimia kulturore është tepër e ndishme dhe nuk guxohet të instrumentalizohet mbi baza nacionaliste, sepse instrumentalizimi mbi baza nacionaliste sjell ndarje dhe gjakderdhje sikurse ka ndodhë tek ne”, tha Aliu.

Mirëpo, shefi i ICO, Faith ka mohuar të ketë bërë presion me prezencën e tij në komision.

“Do të vazhdoj të kontribuojë kur të ftohem nga kryetari i komisionit. Unë kurrë nuk kam bërë presion, ju e dini këtë”, theksoi Faith.

Në anën, tjetër ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, tha se kjo është në bazë të kushtetutës që rrjedh nga pakoja e Ahtisarit dhe nuk mund të ndryshohet.

“Ky ligj rrjedh nga pakoja e Ahtisarit dhe nuk është diskriminues. Ne si Qeveri dhe ICO, kemi propozuar që në këshill të jenë kisha ortodokse serbe, Bashkësia Islame, Kisha Katolike, plus shoqëria civile, dhe nuk shoh diskriminim kur të gjithë janë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë”, tha Gashi.

Edhe kryeparlamentari, Jakup Krasniqi i pyetur rreth presionit të kryeministrit Thaçi dhe Faith në mbledhje të komisionit, ka thënë se nuk ka marrë asnjë vërejtje nga anëtarët e komisionit për ndonjë presion.

“Unë nuk kam pas kërkesë as nga kryeministri e as nga Piter Fit që të marrin pjesë në komision dhe ky nuk është obligim i imi, mirëpo nuk kam vërejtje por as ankesë nga anëtarët e komisionit për prezencën e tyre. Kjo është e drejtë edhe e kryeministrit Thaçi edhe e shefit të ICO-së Feit për të komunikuar me deputetët dhe për të sqaruar çështjet e ndryshme”, tha Krasniqi.

Ndërkohë, pasi projektligji kaloi në komision, pritet që pas dy jave të del për votim në Kuvend./rtk/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat