Në Kaçanik protestohet kundër grafiteve

Shoqatat e dala nga lufta në Kaçanik kanë bllokuar një orë rrugën, e cila e lidh Shterpcën me magjistralen Prishtinë-Shkup, në vendin e quajtur Fusha e Pajtimit. Ata kanë deklaruar se janë tubuar aty që me protestë të kërkojnë nga institucionet përgjegjëse zbardhjen e rastit të grafiteve me përmbajtje fyese kundër SHBA-së, NATO-s dhe UÇK-së, të shkruara në mbrëmjen ndërmjet të shtunës dhe të dielës, raporton KTV. “Shoqatat e dala nga lufta shprehin revoltën ndaj këtij akti të shëmtuar e qyqar, ndërsa nga organet përgjegjëse kërkojnë zbardhjen e këtij rasti dhe nxjerrjen e autorëve para drejtësisë”, ka theksuar Menduh Krasniqi, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës. Ndërkaq, Xhabir Zharku, kryetar i Komunës të Kaçanikut, ka deklaruar se kriminelët serbë janë duke e keqpërdorur lirinë e lëvizjes. Pjesë e protestës për pak çaste është bërë edhe kryeministri Thaçi, i cili po udhëtonte për në Brezovicë për të marrë pjesë në një takim për privatizimin e qendrës së skijimit. “E di që jeni të fyer dhe të indinjuar nga ato grafite që përkojnë me mentalitetin e të kaluarës së Sllobodan Millosheviqit, por Kosova sot është e pavarur dhe sovrane. Askush në Kosovë nuk pajtohet ma ato grafite, as populli dhe as institucionet, sikundër as partnerët tanë, SHBA-ja, NATO-ja dhe të gjitha vendet e Bashkimit Evropian", u ka thënë Thaçi protestuesve./koha/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat