Junik, polici plagoset me revolen e kolegut

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është plagosur me armë zjarri, dhe një tjetër ka pësuar lëndime me mjete të forta, pasi janë sulmuar nga së paku dy persona.

Incidenti ka ndodhur në Junik, sot rreth orës 14:35. Komandanti i policisë në Junik, Rasim Syla, ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se patrulla në këmbë e policisë “ka hasur në rezistencë aktive”, kur kishte tentuar t’i kontrollojë disa persona, të dyshimtë për armëmbajtje pa leje.

Fillimisht, zyrtarë të policisë kanë thënë se dy policët që po patrullonin në këmbë kanë hasur në rezistencë të një grupi të armatosur. Por zëdhënësi i policisë rajonale në Pejë, Xhevat Ibra, tha se informatat e tanishme janë se policët kanë ndaluar dy persona të dyshimtë me një motoçikletë, dhe se nuk dihet nëse kanë pasur armë.

Një burim i Gazetës JnK ka saktësuar se njëri prej sulmuesve ka arritur t’ia marrë policit revolen dhe pikërisht me këtë revole është plagosur polici tjetër.

“Ai është plagosur në këmbë. Gjendja e tij nuk është në rrezik për jetën”, tha burimi. Ai është dërguar në Emergjencën e Pejës, dhe më pastaj është përcjellë për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)  në Prishtinë.

Kurse polici tjetër është sulmuar me karrige.

Gjatë reagimit, polici ka plagosur njërin prej sulmuesve. Ai është arrestuar dhe është dërguar në Emergjencën e Gjakovës.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat