Kosova prodhon më së paku në rajon

Sektori i prodhimit në Kosovë shfrytëzon vetëm 63.9 për qind të kapaciteteve prodhuese, ndërsa 36.1 janë kapacitete të pashfrytëzuara.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në nivel të industrive, industria e plastikës dhe gomës ka nivelin më të lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve, e cila arrin në 83.0 për qind të kapaciteteve prodhuese.

Më pas kjo industri pasohet nga industria e përpunimit të ushqimit që përdor 76.5 për qind të kapaciteteve të saj prodhuese.

Sipas raportit të BQK-së, prodhimi i industrisë ushqimore përbën gjithashtu një industri në rritje, sidomos kur merret parasysh rritja e vazhdueshme e kërkesës.

Industria me normën më të ulët të shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese është ajo e mineraleve dhe produkteve jometalike.

Edhe pse Kosova konsiderohet si ekonomi relativisht e pasur me minerale, teknologjia e vjetruar e kësaj industrie konsiderohet si faktor që ndikon në nivelin e ulët të shfrytëzimit të mundësive prodhuese.

“Problemi i kapaciteteve prodhuese të pashfrytëzuara mund të adresohet edhe në konkurrencën e firmave vendëse kundër atyre rajonale. Për shembull, importi i ushqimeve të përgatitura përfaqëson 11.8 për qind të gjithsej importeve, ndërsa duke përfshirë edhe produkte të tjera ushqimore të tilla si vajrat, perimet dhe kafshët, importi i këtyre produkteve përfaqëson rreth 20 për qind të gjithsej importeve”, thuhet në raportin e BQK-së. Problemi i shkallës së ulët të shfrytëzimit të kapaciteteve mund të jetë thelluar edhe më tej.

Energjia elektrike si dhe perceptimet mbi korrupsionin konsiderohen si problemet më të mëdha për firmat në realizimin e biznesit të tyre në Kosovë. Konkurrenca joformale është një tjetër faktor, i cili dëmton prodhimin vendës.

Sipas raportit të BQK-së, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese në ekonominë e Shqipërisë është 73.1 për qind, ndërsa pjesa e mbetur 26.9 për qind mbeten kapacitete të pashfrytëzuara.

Bazuar në karakteristikat e firmave, të dhënat sugjerojnë se shfrytëzimi i kapaciteteve nga firmat eksportuese është në nivel të ngjashëm me mesataren e ekonomisë.

Në kuadër të industrive, shfrytëzimi më i lartë i kapaciteteve vërehet në industrinë e produkteve minerale me 79.7 për qind, si dhe industrinë e produkteve kimike me 79.4 për qind.

Firmat me pronësi të huaj shfrytëzojnë 83.1 për qind të kapaciteteve prodhuese krahasuar me firmat me pronësi vendore që kanë shfrytëzim të kapaciteteve prej 74 për qind.

Sipas raportit të BQK-së norma e shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese në ekonominë e Bosnjë e Hercegovinës paraqitet më e lartë sesa mesatarja në vendet e Evropës Lindore dhe mesatarja në nivel global.

Në këtë ekonomi, sektori i prodhimit shfrytëzon 75.3 për qind të kapaciteteve prodhuese.

Edhe kapacitetet prodhuese në Maqedoni shfrytëzohen në normën prej 74.7 për qind. Bazuar në karakteristikat e firmave, nivelin më të ulët të shfrytëzimit të kapaciteteve e kanë firmat të cilat ballafaqohen me ndërprerje të energjisë elektrike.

Firmat prodhuese në Mal të Zi shfrytëzojnë 76.5 për qind të kapaciteteve, prodhuese, ndërkaq niveli i shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese atje është për një masë më i lartë se në EL dhe EJL, por gjithashtu edhe mbi mesataren globale.

Bazuar në disa karakteristika të firmave, vërehet se firmat në pronësi të huaj kanë nivelin më të ulët të shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese.

Sipas raportit të BQK-së, Serbia paraqitet të jetë njëra ndër vendet me normën më të ulët shfrytëzimit të kapaciteteve prej 69.3 për qind, që e radhit këtë vend nën mesataren rajonale por edhe atë globale.

Firmat e huaja shfrytëzojnë 83.1 për qind të kapaciteteve prodhuese, ndërsa firmat vendore shfrytëzojnë 78.2 për qind.

Në kuadër të pengesave të raportuara nga firmat në Serbi, problem kryesor paraqitet jostabiliteti politik në këtë vend, përcjellë nga konkurrenca joformale dhe qasja në financa.

Korrupsioni gjithashtu raportohet të jetë një nga pengesat kryesore në bërje të biznesit në Serbi.

Shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese:

Kosova 63.9 %

Shqipëria 73.1 %

Maqedonia 74.7 %

Mali Zi 76.5 %

Serbi 69.3 %

/zeri/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat