Hasan Abazi, kryetari i Sindikatave Industriale të Kosovës, është arrestuar sot nga policia serbe në bazë të një fletarrestim të lëshuar nga Gjykata paralele e Qarkut në Gjilan, në vitin 2005.
Abazi ishte duke udhëtuar për në Kroaci me udhëheqësin e sindikatës së Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK, Izet Mustafa, për të marrë pjesë në një konferencë të sindikatës evropiane, raporton Gazeta “Jeta nw Kosovw”.
Mustafa ka treguar se bashkudhëtari i tij ishte arrestuar në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, në afërsi të Gjilanit, nga një pjesëtar i policisë kufitare të Serbisë, i përkatësisë shqiptare etnike.
Abazi tashmë është dërguar në paraburgim në Vranje të Serbisë.
Sllagjan Velinoviq, shefi i Policisë në Vranjë, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se Abazi ishte arrestuar dhe ishte duke u marrë në gjykatë në Vranjë, ku ai do të paraqitet para gjykatësit hetues.
Velinovic refuzoi të komentonte mbi arsyet e arrestimit të tij, deri sa Abazi të merret në pyetje nga gjyqtari.
Por një burim i Gazetës Jeta në Kosovë saktëson se Abazi është arrestuar në bazë të një fletarrestimi të Gjykatës paralele të Qarkut në Gjilan, të lëshuar që në vitin 2005. Ai dyshohet për “spiunazh”, sipas nenit 305 të Kodit Penal të Serbisë.
“Kushdo që tenton të sjellë në mënyrë jokushtetuese Serbinë apo Serbinë dhe Malin e Zi në një pozitë të nënshtrimit apo varësisë në lidhje me një shtet tjetër, dënohet me burgim prej tre deri në pesëmbëdhjetë vjet”, thuhet në këtë nen, që është nën seksionin “Komprometimi i Pavarësisë”.
65-vjeçari ka qenë ishte aktivist politik në vitet 1990-ta në Kosovë dhe ka shërbyer dy herë në parlamentin paralel të Ibrahim Rugovës.
Haki Abazi, i biri i Hasanit, i cili është drejtor i programit të Rockefeller Brothers për Ballkanin Perëndimor, tha se familja është e shqetësuar për sigurinë e Hasanit.
Vladimir Joviçiq, zëvendës kryesuesi i ekipit negociator të Serbisë në bisedimet Beograd-Prishtinë, i tha Gazetës JnK se ai nuk ka dëgjuar për këtë arrestim, por theksoi se policia e Kosovës ka arrestuar katër serbë të martën në mbrëmje.
Analistë ndërkombëtarë i thanë gazetës se ky veprim është qartë një hakmarrje e ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, për arrestimet e fundit që Qeveria e Kosovës ndërmori ndaj zyrtarëve të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë. Veprimet vijnë para zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi, të cilat mbahen më 6 maj. /JNK/