Policia e Kosovës është vënë në gjendje gatishmëri në brezin kufitar me Serbinë. Të dielën është shtuar numri i policëve kufitarë në këtë zonë pas arrestimit turpërues të dy prej kolegëve të tyre nga Xhandarmëria serbe.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se "numri i pjesëtarëve patrullues tashmë në këtë zonë është rritur dhe do të veprojnë në bazë të ligjeve në fuqi për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës". Sipas tij, kidnapimi i dy pjesëtarëve ndodhi në brendësi të Kosovës.
Edhe banorë të fshatit Dumnicë të Podujevës, shumë pranë kufirit kanë folur për rastet e shpeshta kur serbët e armatosur të xhandarmërisë që dalin e provokojnë në territorin e Kosovës. /indeksonline/