Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi që ndodhi mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës. Gjendja shëndetësore e të plagosurve është stabile derisa nuk ka asnjë person të dyshuar për rastin.
Selver Haradinaj, 38 vjeçar, ka humbur jetën si pasojë e një shpërthimi që ndodhi në zonën e “Tre rrokaqiejve” në veri në vendit. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti tha se nga shpërthimi janë lënduar lehtë edhe anëtarë të tjerë familjes Haradinaj.
“Një 38 vjeçar ka humbur jetën, ndërsa bashkëshortja e tij dhe katër fëmijët e tij kanë kaluar pa lëndime serioze, në fakt dy nga katër fëmijët e tij kanë pësuar lëndime të natyrës së lehtë, janë trajtuar në Qendrën Emergjente në Mitrovicë dhe të njëjtit janë liruar për në shtëpi”, thotë Hoti.
Sipas policisë, shpërthimi ndodhi pasi u aktivizua bomba artizanale që përbëhej nga gjysmë kilogrami eksploziv plastik e që ishte vendosur në dritaren e banesës së tij. Deri më tani nuk ka të dyshuar për rastin dhe nuk dihen motivet për këtë ngjarje.
Zëdhënësi i policisë, Besim Hoti, nuk përjashton mundësinë që sulmi të ketë ndodhur në bazë të urrejtjes ndëretnike:
“Deri më tani nuk dihen motivet edhe përkundër faktit që nuk përjashtohet mundësia e motivit mbi bazën e urrejtjes ndëretnike”.
Hoti tha se Njësia për Krime Serioze e Policisë së Kosovës po i vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat dhe detajet e rastit./rtk/