Policia: Situatë e tensionuar në veri

Një ditë pas vrasjes së një qytetari shqiptar në veri të Mitrovicës, si pasojë e një shpërthimi me një mjet eksplodues, autoritetet e rendit thonë se situata në këtë pjesë të vendit mbetet e tensionuar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha për Radion Evropa e Lirë, se policia në bashkëpunim me autoritetet tjera të komunës, janë duke u përpjekur për të ofruar një siguri më të madhe për qytetarët, e po ashtu edhe për uljen e tensioneve.

“Sa i përket situatës, mund të them lirisht se kemi një situatë jashtëzakonisht të tensionuar, marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit, shqetësimet e banorëve - jo vetëm të veriut, banorëve shqiptarë e serbë - por të të gjithë banorëve të tjerë në komunë e me gjerë".

"Policia e Kosovës me strukturat e tjera të sigurisë dhe të pushtetit lokal ka përgjegjësi për marrjen e masave ose veprimeve shtesë për uljen e tensioneve”, deklaroi Hoti.

Ai tha se tash për tash ende nuk dihen motivet dhe shkaktarët e sulmit, por siç u shpreh ai, policia është duke hetuar të gjitha rrethanat e këtij incidenti kriminal.

“Ky është një rast që i tejkalon ndoshta edhe përmasat e ngjarjeve ditore dhe ngjarjeve që kanë ndodhur më herët. Prandaj veprimet tona kërkojnë të jenë të matura dhe të kenë koordinim shumë të rëndësishëm me të gjitha institucionet, edhe ato ndërkombëtare të sigurisë, por në radhë të parë edhe me vetë qytetarët”, tha Hoti.

Zëdhënësi Hoti tha po ashtu se në lagjet e banuara me popullatë etnikisht të përzier, janë vendosur pika statike të kujdestarisë dhe të kontrollit.

“Pikat statike janë vendosur jo vetëm në ato lokacione ku ka pasur incidente, por edhe në lokacionet e tjera ku mund të ketë tensione. Kjo është bërë dhe do të vlejë deri në një urdhër të ardhshëm”, beri të ditur Hoti.

Sulmin ndaj familjes Haradinaj, kryeprokurori i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, Shyqyri Syla, e ka cilësuar si një akt terrorist.

Për më tepër, ai konsideron se ky sulm "mund të jetë bërë edhe për motive etnike".

“Hetimet janë duke u zhvilluar. Mendoj që ka elemente terrorizmi, nuk mund të përjashtohet edhe motivi etnik për frikësimin e popullatës shqiptare që është në veri”, deklaroi Syla.

Kryeprokurori Syla nuk ka dashur të flasë rreth hetimeve dhe arrestimeve të mundshme, por ka deklaruar se në bashkëpunim me autoritet e rendit do të arrijnë deri të burimet e sakta për kapjen e autorëve.

“Unë konsideroj që me një punë të përbashkët mund të arrijmë deri tek identifikimi i personave, pastaj edhe kapja, por fillimisht duhet të bëhet identifikimi i kryesve".

"Nuk e di se sa ka pista që na çojnë te ndonjë emër tash për tash. Kështu që, për shkak të hetimeve nuk mund të flas, disa burime i kemi, por nuk mund të flas për to” tha kryeprokurori Syla.

Lidhur me sulmin ndaj familjes Haradinaj, kanë reaguar institucionet e Kosovës, ato ndërkombëtare si dhe partitë politike në vend.

Të gjithë e kanë dënuar aktin e sulmit dhe kanë kërkuar nga organet e drejtësisë që ta ndriçojnë rastin dhe përgjegjësit t’i vënë para drejtësisë./rel/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat