Rreth 100 qytetarë shqiptarë janë duke protestuar në jug të urës së Ibrit në Mitrovicë, në shenjë revolte për ngjarjet e fundit që ndodhën në pjesën veriore të këtij qyteti, raporton KTV-ja. Në vendngjarje ka edhe forca të shumta të EULEX-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, vazhdon njoftimi, i cili vazhdon se në vendin e ngjarjes ka dalë edhe drejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi.
KTV-ja po ashtu thekson se Thaçi ka komunikuar me zyrtarët e EULEX-it dhe ka kërkuar që t’i largojnë makineritë e shumta nga ura. Ai u ka thënë zyrtarëve të EULEX-it se për çdo veprim duhet të konsultohen me Policinë e Kosovës.
Zyrtarët e EULEX-it kanë thënë se paraprakisht kanë marrë një informatë për mbajtjen e një proteste dhe se kanë dalë në terren për të mbajtur situatën nën kontroll.
Lajmi për mbajtjen e protestës ka qarkulluar gjatë ditës së djeshme nëpër rrjetet sociale.
Në protestën e sotme është parë edhe anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili, njofton KTV-ja./koha/