Kryetari i Partisë Përparimtare Serbe, Tomisllav Nikoliq ka mbajtur një tubim parazgjedhor në Mitrovicë, ku ka deklaruar se Kosova do të mbetet gjithnjë Serbi.
“Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë. Ajo nuk është e imja, nuk e kam trashëgim nga babai, nuk e kam blerë dhe nuk mund ta shes apo t’ia dhuroj dikujt. Ajo ju takon juve dhe gjithë Serbisë, secilit qytetar të saj, veç e veç. Ashtu si dëshirojnë qytetarët, ashtu edhe do të jetë. Në Kushtetutë shkruan se dëshirojnë që kjo të jetë Serbi”, ka theksuar Nikoliq.
Ai ka theksuar se Kosova do të jetë Serbi derisa edhe serbi i fundit të ecë mbi tokë.
Nikoliq ka akuzuar presidentin serb, Boris Tadiq për të cilin ka thënë se përmes Borisllav Stefanoviqit ka arritur në Bruksel marrëveshje shumë të dëmshme për serbët e Kosovës.
Kurse, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë thënë se Nikoliq dhe krerët e tjerë të Partisë Përparimtare Serbe, nuk kanë bërë kërkesë për ta vizituar Kosovën.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, nuk e ka përjashtuar mundësinë që ata kanë hyrë përmes rrugëve dytësore në Kosovë./rtk/