Rreth 30 persona po mbahen nga organet policore të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në fshatin Smilkovc të komunës Butel të Shkupit.
Kjo bëhet e ditur nga ana e ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, në një komunikim të saj me gazetarët lidhur me detajet mbi vrasjen, njofton INA.
Jankullovska ka theksuar se njësitet policore janë në terren dhe se po ruajnë rendin dhe qetësinë.
Sipas saj, MPB apelon për qetësi dhe mos tensionim të situatës nga ana e banorëve, dhe shmangien e dezinformatave të ndryshme.
Ministrja e MPB ka njoftuar se katër vetura janë sulmuar me gurë, si dhe dy autobusë të linjës që çon drejt fshatit Luboten të Shkupit, ndërsa ka pasur tentime edhe për dëmtimin e pronës private. Është informuar gjithashtu edhe për tentimin për të sulmuar një ekip të gazetarëve.