Pjesëtarë të MUP-it zhvendosen, “Obraz” paralajmëron ardhjen në veri

Gjashtë pjesëtarët e MUP-it serb, Jovan Arsiq, Nebojsha Rasiq, Sinisha Mihajloviq, një i katërt me nofkën “Piko” dhe dy të tjerë (emrat e pakonfirmuar) janë larguar nga banesat e tyre te “Tre rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës.

Burime të gazetës, kanë bërë të ditur se urdhrin për t`u zhvendosur pjesëtarët e MUP-it e kanë marrë pas shpërthimit që ka ndodhur tek “Tre Rrokaqiejt” e ku ka mbetur i vrarë Selver Haradinaj.

Lëvizja e një njësiti të ROSU-s që i ka shkuar në përforcim ROSU-s në Mitrovicë, në natën e 12 prillit, katër ditë pas shpërthimit, ka shqetësuar jo vetëm prezencën ndërkombëtare në Kosovë, por edhe strukturat e Serbisë në veri të lumit Ibër.

Sipas burimeve të gazetës, informatat e tilla, kanë bërë që pjesëtarët e MUP-it të largohen të paktën nga “Tre Rrokaqiejt”.

Por largimi i pjesëtarëve të MUP-it nuk i ka lënë shumë që të gëzohen qytetarët shqiptarë në veri të Ibrit. Grupi çetnik që mban emrin “Obraz” (Fytyra), ka paralajmëruar se do të niset për në veri të Kosovës. Njoftimin ua kanë dërguar me letër para dyerve të shtëpive, qytetarëve shqiptarë të asaj pjese.

“Koha Ditore” ka raportuar ditë më parë se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë marrë vesh para disa muajsh që të mos lejojnë përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës gjatë zgjedhjeve të Serbisë. Sipas marrëveshjes që është konfirmuar nga zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, qëllimi i strukturave ilegale në veri, që janë degë të partive radikale, është që të provokojnë konflikt ndëretnik, ngase do të avanconte pozitën e tyre si në zgjedhjet e Serbisë, ashtu edhe në dialogun për veriun që pritet të nisë pas zgjedhjeve në shtetin fqinjë.

Sipas marrëveshjes, Qeveria e Kosovën nuk do të dërgojë ROSU-n në veri, derisa Serbia do të ndalë ardhjen e grupeve çetnike në veri.

Përndryshe, burime ndërkombëtare kanë shpjeguar për “Kohën Ditore” se gjatë kësaj kohe, paralajmërime për t`u nisur drejt Kosovës kanë bërë edhe grupe të tjera famëkëqija.

Sipas burimeve të gazetës, përveç organizatave ultranacionaliste dhe të shpallura si ilegale edhe nga shteti serb “Obraz” (fytyra), “Srpski Cetnicki Pokret” (Lëvizja Çetnike Serbe), janë edhe disa grupe të tjera ekstremistësh, siç janë “Delije” (Trimat) dhe ‘Grobari’ (Varrmihësit) që mund të pritet që të rrisin aktivitetin e tyre në veri gjatë kësaj kohe. Sipas të njëjtave burime, pjesë e dy organizatave çetnike, janë edhe familjarë të përfaqësuesve të veriut të Kosovës, që janë liderë të institucioneve ilegale të Serbisë./koha/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat