Banorët shqiptarë të Velesit gjatë dy netëve të kaluara kanë ruajtur vetë objektin e xhamisë qendrore Fazëll Ahmet Pasha që gjendet në këtë qytet.
Sipas mediave në Maqedoni banorët janë grumbulluar dhe kanë vendosur që gjatë natës të qëndrojnë syhapur me qëllim që mos të lejojnë djegien e xhamisë.
Ditë më parë një pjesë e banorëve maqedonas që banojnë në afërsi të kësaj xhamie ishin kërcënuar se do ta djegin xhaminë të revoltuar për vrasjen e pesëfishtë që kishte ndodhur në Shkup nga persona deri më tani të paidentifikuar.
Përveç rojës që kanë vënë vetë banorët, mësohet se edhe policia ka shtuar sigurinë, por te shqiptarët e paktë që jetojnë në këtë qytet është ndjerë shqetësim dhe frikë për fatin dhe pronat e tyre.
Banorët pohojnë se do të mundohen të mbrojnë maksimalisht pronat e tyre, por kërkojnë edhe nga organet e rendit që t`iu mundësojnë shqiptarëve një jetë të qetë dhe të sigurt.
Kërcënimet për djegien e xhamisë janë marrë mjaft seriozisht duke pasur parasysh se një gjë e tillë kishte ndodhur kohë me parë në Prilep, kur në vitin 2001 u dogj xhamia tërësisht dhe pastaj në Manastir kur u dogjën shtëpi dhe objekte të tjera. /albeu/