Thaçi shkel marrëveshjen, zgjedhjet më 2014

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur ta shkelë marrëveshjen për zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe parlamentare, të cilën e ka nënshkruar para një viti bashkë me liderin  e LDK-së, Isa Mustafa dhe partnerin e koalicionit, Behgjet Pacolli. Me këtë  marrëveshje të ndërmjetësuar nga ambasadori amerikan, Christopher Dell, e të mbështetur me Rezolutë të Kuvendit të Kosovës, është paraparë që zgjedhjet presidenciale orientimisht të mbahen në vjeshtën e këtij viti ndërsa zgjedhjet e përgjithshme në vjeshtën e vitit 2013.

Treshja Thaçi-Mustafa-Pacolli, më 6 prill 2011, qenë pajtuar në zyrën e kryeministrit për krijimin e dy komisioneve të veçanta parlamentare, për t’u marrë ekskluzivisht me hartimin e bazës kushtetuese dhe ligjore për zgjedhjet e ardhme. Komisioni kushtetues tashmë e ka kryer mandatin dhe amendamentet që kanë të bëjnë me kompetencat dhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit janë deponuar në  Gjykatën Kushtetuese, për sa kohë që Komisioni për reformën zgjedhore ka ende punë për të bërë. Pavarësisht nga ajo që është arritur deri tash, kryeministri Thaçi ka shfaqur ambicien për ta përfunduar mandatin e plotë qeverisës, katërvjeçar. Në Kuvendin e Kosovës, të mërkurën, ai ka deklaruar se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen tek në vitin 2014. “Ballafaqimin me opozitën, Qeveria dhe koalicioni qeverisës do ta ketë  në fund të vitit 2014”, ka thënë ai.

Të njëjtën gjë e ka rikonfirmuar të enjten një  zyrtar i lartë i koalicionit. Në kushte anonimiteti ai ka deklaruar për “Kohën Ditore” se shtyrjen e zgjedhjeve janë duke e mbështetur edhe faktorë të caktuar ndërkombëtarë. “Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 2014, kurse ato presidenciale vitin tjetër. Ky është një qëndrim që është duke u mbështetur edhe nga miqtë ndërkombëtarë, dhe po të ishte ndryshe, Thaçi nuk do ta jepte paralajmërimin”, ka thënë ai. Deklarata e Thaçit, megjithatë ka nxitur reaksion jo vetëm te dy partitë opozitare, LDK-ja e AAK-ja, por edhe te partneri i koalicionit AKR-ja./koha/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat