Më shumë se 100 milionë euro kanë përfituar financuesit e partisë më të madhe në vend, PDK-së, brenda 2 fushatave zgjedhore, vlerëson organizata antikorrupsion “Çohu”. Kjo organizatë ka paraqitur një hulumtim, i cili, sipas drejtuesve të saj, është i bazuar në dokumentet zyrtare të raporteve të auditimit. Lorik Bajramit nga “Çohu” ka thënë se 43 subjekte të ndryshme biznesore kanë mbështetur PDK-në gjatë dy fushatave të fundit zgjedhore me rreth 280 mijë euro, por që u është shpaguar 350-fish ose më shumë se 100 milionë euro. Ndërkaq Avni Zogiani ka thënë se këto të dhëna janë për kompanitë ose personat fizikë që ekzistojnë në listën e financuesve të fushatave të PDK-së, përndryshe shuma e shpërblimit të financuesve do të ishte shumë më e madhe. Në këtë raport janë paraqitur edhe detaje për 25 zyrtarë të lartë politikë që nuk i kanë deklaruar të gjitha bizneset në Agjencinë Kundër Korrupsion.
Sipas Çohu, një hulumtim i “Preportr” – i Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese (QKGH) - mbi prokurimet publike nxjerrë të dhëna mbi 100 milionët e shpërndarë nga partia e kryeministrit, për kompanitë që atij ia zgjatën dorën gjatë fushatave zgjedhore.
Nga dokumentet zyrtare ky hulumtim ka gjetur se 43 subjekte të ndryshme, kryesisht kompani ndërtimore që si biznese dhe persona fizik financuan Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), në dy fushatat e fundit elektorale kanë përfituar mbi 100 milionë euro nga tenderët publik.
Sipas raportit të auditimit të financave të partive për fushatën e vitit 2009 dhe atij për fushatën e vitit 2010, shuma e donacioneve që këto 43 subjekte dhanë për PDK-në është pak më shumë se 280 mijë euro. Për 11 nga to u shkel edhe ligji dhe u dëmtua buxheti për t’i shpërblyer. Kjo i bie që kompanitë kanë rritur të ardhurat e tyre nga pushteti për mbi 350 herë në krahasim me atë që i dhanë donacion partisë në pushtet.
Pasi “Preportr” ka gjetur këto të dhëna, ka pritur për më shumë se dy javë për një koment nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe nga Zyra e kryeministrit Hashim Thaçi, por as njëra dhe as tjetra nuk janë prononcuar në lidhje me shpërblimin prej 100 milionë eurosh të financuesve të kësaj partie me anë të tenderëve publik.
Sipas hulumtimit, del se së paku 25 zyrtarë të lartë publikë, ndër të cilët një zëvendëskryeministër, dy ministra, katër zëvendësministra, pesë kryetarë të komunave, një sekretar i përgjithshëm, katër drejtorë të prokurimit si dhe tetë anëtarë/drejtorë të bordeve të kompanive publike nuk i kanë deklaruar të gjitha bizneset apo aktivitetet në agjencinë Kundër Korrupsionit.
Këta zyrtarë që nuk e kanë deklaruar një pjesë të pasurisë nuk janë hetuar fare nga AKK dhe nuk figurojnë në raportin vjetor të vitit 2011, i cili është bërë publik me 28 mars të këtij viti. /koha/