Aktet terroriste që kanë ndodhur kohëve të fundit në veri të Mitrovicës kanë sjellë në një protestë në Prishtinë, një grup të organizatave joqeveritare me moton “Stop terrorizmit”, të cilët kanë theksuar se terrorizimi është i papranueshëm për shoqërinë në Kosovë.
Protesta është organizuar në shenjë përkrahjeje ndaj qytetarëve që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës.
Sipas organizatorët protesta kishte për qëllim shprehjen e pakënaqësinë për moskujdesin institucional për t’u siguruar jetë të qetë dhe të sigurt për qytetarë në veri të Mitrovicës.
Bashkëorganizatori i protestës, publicisti Nexhmedin Spahiu, ka thënë me këtë rast se, qëllimi i kësaj proteste ishte që ta luftojnë terrorizmin si metodë dhe t’u dalin në ndihmë qytetarëve, të paktën ndihmë morale, për të gjithë qytetarët e Kosovës që janë viktimë e terrorizmit.
“Terrorizmi është i papranueshëm për shoqërinë tonë dhe duhet që ta preventojmë. Qëllimi i kësaj proteste ka qenë që të jetë një preventim i akteve të tjera të mundshme për të mos arsyetuar terrorizmin si metodë. Prandaj përgjigjja e qytetarëve në këtë ka këtë kuptim. Nuk duam t’i dhamë protestës një karakter tjetër, përveç kësaj, që ta luftojmë terrorizmin si metodë dhe natyrisht njerëzve të cilët janë viktima të terrorizmit në Kosovë dhe jashtë kanë nevojë për një përkrahje morale dhe kjo protestë është një lloj përkrahje për të gjithë ata të cilët janë të zhgënjyer nga mosveprimi i mekanizmave përkatës për mbrojtjen, për sigurinë e tyre, por të paktën ta kenë përkrahjen e qytetarëve”, ka thënë ai.
Ndonëse kishte numër të vogël të protestuesve, megjithatë Spahiu u shpreh i kënaqur dhe shtoi se tregon edhe numri i pjesëmarrësve në protestë se sa jemi të ndërgjegjshëm si popull.
Ndërsa Shemsi Reçica nga Këshilli Organizativ i protestës dhe ish i burgosur politik, pos kritikave ndaj organeve të shtetit, ai ka shprehur indinjatën e tij edhe ndaj faktorit ndërkombëtar, i cili nuk po bën asgjë për atë pjesë të vendit.
Ai ka thënë se ajo pjesë e Kosovës si dhe popullata e saj po mbahen peng i strukturave serbe, të cilat po dëshirojnë ta mbajnë atë pjesë të destabilizuar me synimin e vetëm që ajo pjesë të jetë e pastër etnikisht.
Reçica ka akuzuar edhe faktorin politik në vend se nuk janë unik në marrjen e vendimeve për Mitrovicën, duke bërë lojë me seanca të jashtëzakonshme dhe, në këtë mënyrë, po përpiqen që të përfitojnë politikisht në atë pjesë të vendit.
Aziz Ademi, qytetar dhe pjesëmarrës në protestë i tha Kosovapressit se do të ishte mirë që Qeveria dhe e gjithë Kosova t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë asaj pjese, kur dihet se atje është pasuria e krejt vendit. /Telegrafi/