Gjithçka gati për zgjedhjet e nesërme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Ferizajt. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se materiali sensitiv dhe fletëvotimet do të shpërndahen nesër para fillimit të votimit. Në Ferizaj do të hapen 25 qendra votimi me 124 vendvotime. Të drejtë vote kanë rreth 95 mijë qytetarë.

Sot është heshtja parazgjedhore në Ferizaj pas fushatës pesëditore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës. Në këtë garë janë shtatë përfaqësues të subjekteve politike dhe një kandidat i pavarur. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është i gatshëm për zgjedhjet e nesërme.

Në Ferizaj, të drejtë vote kanë rreth 95 mijë qytetarë, të cilët do të votojnë në 25 qendra të votimit me 124 vendvotime. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se zgjedhjet do të vëzhgohen nga 1 mijë e 514 vëzhgues, përfshirë vëzhgues nga OJQ vendore e ndërkombëtare dhe të subjekteve politike.

“Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet sipas ligjit. Një ndryshim kemi bërë këtë vit, spreji dhe llampat për të cilën ka pasur më së shumti vërejtje në zgjedhjet e fundit janë material sensitiv dhe së bashku me fletëvotimet do të shpërndahen nesër, janë të mbyllura dhe pak para hapjes së qendrave të votimit ato do të dërgohen”, ka sqaruar Daka.

Daka tha se komisionerët që janë përfshirë në manipulime gjatë zgjedhjeve të kaluara nuk janë akredituar për këto zgjedhje:

“Kemi bërë edhe një ndryshim, këtë herë vëzhguesit do të qëndrojnë prapa anëtarëve të këshillave të vendvotimeve dhe do të kenë qasje në çdo veprim të ndërmarr nga anëtarët e këshillit të veprimit”.

Edhe Policia e Kosovës ka përgatitur planin operativ për zgjedhjet e nesërme. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi tha për Radio Kosovën, se plani është përgatitur në detaje për secilin polic që do të jetë në detyrë.

“Të gjitha përgatitjet deri në detajin më të imët janë bërë dhe nuk do të ketë asnjë problem sa i përket pikave të votimit. Të gjitha veprimet janë marr dhe deri tash nuk ka pas problem dhe ky plan operativ i policisë do t’i mundësoj qytetarëve kushte normale për kryerjen e votimit”, ka thënë Gashi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Ferizajt, mbahen pas dorëheqjes së kryetarit të komunës, Bajrush Xhemajli, i cili u dënua me 2 vjet e gjysmë burg nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, për aksidentin në të cilin vdiq një person./rtk/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat