Posta dhe Telekomi i Kosovës kishte zgjedhur si garantues njërin prej të dyshuarve për më shumë se 15 vepra penale për antenat e telefonisë mobile në veri. Me Zvonko Veselinoviqin kishte bërë kontratë që të ruante antenat.
Për vendosjen e njërës prej tyre mbi një objekt banimi kolektiv në veri të Mitrovicës ai merrte nga PTK-ja 1.000 euro në muaj. E kishte punësuar edhe si rojë. Edhe për këtë punë paguhej rreth 400 euro në muaj.
Teksa këto të ardhura i derdheshin muaj për muaj në llogari, Zvonko kishte krijuar tashmë një rrjet të gjerë të veprimtarisë në veri me kontrabandë nafte, barnash e droge.
“Koha Ditore” në vazhdim të ciklit të shkrimeve për kriminalitetin në veri ka zbuluar dosje që Veselinoviqin e vë në krye të shitësve të drogës. Për këtë ai besohet se kishte bashkëpunim të mirë me shqiptarë, boshnjakë e romë të Mitrovicë, të cilët në shumicën e rasteve ishin bërë shitës me pakicë për llogari të Veselinoviqit.
PTK-ja ndërkohë veç pak kohë para arrestimit të Veselinoviqit në Serbi ka shkëputur kontratën me të dhe thotë se e ka larguar edhe nga puna. /koha/