KQZ miraton rezultatet për Ferizajn, në PZAP kanë arritur 54 ankesa

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në takimin e mbajtur sot, ka miratuar rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Ferizaj, të procesuara nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Ferizaj.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillimisht konstaton se zgjedhjet në Ferizaj u organizuan sipas planit të paraparë operacional dhe në atmosferë të qetë e pa probleme. Të gjitha vërejtjet dhe çështjet e ngritura, vërejtjet dhe shqetësimet, gjatë ditës së votimit janë shqyrtuar me prioritet nga KQZ-ja dhe janë evituar me kohë”, thuhet në komunikatën e këtij organi.

E njëjta thekson se në zgjedhje kanë marrë pjesë 28,643 votues, ose 30.6%.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstaton se rezultatet sipas pilot-projektit ‘K-vote’, të dhëna në konferencën e orës 20.00, janë identike me rezultatet e pranuara nga Komisioni Komunal i Ferizajt”, thekson komunikata.

Kurse në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Ferizajt janë deponuar 54 ankesa.

Shukri Sylejmani, kryesues i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, tha për Radion Evropa e Lirë se ato përfshijnë ankesat e fushatës parazgjedhore dhe ato zgjedhore.

“Ankesa më së shumti ka paraqitur Lëvizja Vetëvendosje - gjithsej 24 ankesa. PDK-ja 15 ankesa, po aq edhe LDK-ja - 15”, tha Sylejmani për të shtuar se nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe subjektet e tjera, deri më tash, nuk kanë arritur ankesa në PZAP.

Ferizaj dje ka mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune. Sipas rezultateve preliminare, në balotazh do të shkojnë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së./rtk/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat