Në mesin e të arrestuarve nga aksioni i sotëm i Njësiteve speciale të policisë është edhe Feride Bilalli, 60 vjeçare nga fshati Hotël i Komunës së Likovës, dhe Qani Haziri, 64 vjeçar, zdrukthëtar i pensionuar nga Shutka. Feridja 60 vjeçe është arrestuar pas një bastisjeje në shtëpinë e saj, ku u gjet një pistoletë. 60-vjeçarja nga fshati Hotël për 15 vjet me radhë jeton e vetme në shtëpi, pasi dy djem të saj jetojnë përkohësisht në Zvicër dhe një në Norvegji. Banorët e fshatit Hotël, por edhe ata të Komunës së Likovës kanë shprehur revoltën e tyre ndaj kësaj bastisje dhe arrestimin e gruas 60-vjeçe, ndërkohë që kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të saj, njofton gazeta KOHA.
*****
Policia “gjen” vrasësit e Smillkovcit
Ministria Punëve të Brendshme ka informuar sot për arrestimin e 20 personave, siç tha ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, të dyshuar për lidhje me vrasjen e pesëfishtë në Smillkovc të Shkupit.
MPB pretendon se të arrestuarit i përkasin “grupeve radikale islamiste”.“Në mesin e 20 të arrestuarve, ka persona të cilët drejtpërdrejtë janë të ndërlidhur me vrasjen makabre në liqenin e Hekuranës, pranë fshatit Smillkovc. Por, ka dhe të tillë për të cilët nuk kemi të dhëna konkrete se a janë të përfshirë drejtpërdrejtë në këtë vrasje. Ata po merren në pyetje për momentin, dhe pasi të realizohen hetimet, do të dalim me të dhëna tjera“, ka deklaruar Jankullovska. Kryepolicja Jankullovska tha se numri më i madh i të arrestuarve janë nga Maqedonia, ndërsa në operacionin e koduar si “Monstra”, janë gjetur sasi e konsiderueshme armësh, ndërsa në aksion kanë marrë pjesë rreth 800 polic.