Qyteti i Malishevës është tronditur nga një ngjarje e rëndë, ku një foshnjë vetëm 1 vit e tetë muajsh, është mbytur në rrethana ende të paqarta nga e ëma. Një fëmijë 20 muajsh, dyshohet se ka vdekur si pasojë e dhunës që ndaj tij ka ushtruar nëna a tij, A.K. e papunë dhe pa të ardhura, ndërsa bashkëshorti ndodhej në emigrim, nëna 24 - vjeçare dyshohet se ka ushtruar dhunë mbi fëmijën e saj. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Gjergj Kastrioti”, në Malishevë, më 18 prill të këtij viti, ndërkohë që nëna së bashku me fëmijën ndodheshin në ashensorin e pallatit ku banonin.
Nga burime private, mësojmë se gjithçka ka ndodhur pas një grindjeje të gruas me bashkëshortin e saj, i cili jetonte në emigrim. Debati mes çiftit është finalizuar me dhunën ndaj fëmijës, i cili më pas ka humbur edhe jetën.
24-vjeçarja A.K., jetonte vetëm me fëmijën e saj dhe në kushte të vështira ekonomike. Kohëve e fundit ajo ishte përfshirë në grindje të shpeshta me bashkëshortin, gjë që e detyroi atë të kryente aktin makabër ndaj fëmijës së saj.
Por pavarësisht aktit të kryer, ka qenë vetë nëna që e ka dërguar fëmijën në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë. Nga aty me autoambulancë fëmija është transferuar në QKUK, ku ka arritur të jetojë deri më datën 21 prill të këtij viti. Fëmija ka mbërritur në spitalin e Malishevës me një plagë të rëndë në pjesën e pasme të kokës dhe pas mjekimeve të para është dërguar për në spitalin e Prishtinës, ku nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Dhe, deri në vdekjen e fëmijës, policia nuk ka qenë e njohur me rastin në fjalë dhe për pasojë deri në këtë kohë asnjë veprim policor nuk është ndërmarrë. Policia nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth këtij rasti, të cilin e ka cilësuar si “vdekje e dyshimtë”, por ka thënë se me këtë rast, i cili ka ndodhur në Malishevë, po merret hetuesia rajonale, e cila, menjëherë pas procedimeve të para hetimore ka vënë në pranga nënën 24-vjeçare, e cila akuzohet për vrasjen e fëmijës së saj. Nga burime policore mësojmë se gruaja gjatë dëshmisë së saj, në polici është përpjekur të paraqesë rastin si aksidental.
Ajo ka tentuar të mohojë faktin se e ka mbytur fëmijën, duke thënë se nuk ka kuptuar asgjë deri në kohën që është hapur ashensori plotësisht dhe ajo ka parë fëmijën pa ndjenja në dysheme. Në deklaratën e saj, para grupit hetimor, 24-vjeçarja ka dëshmuar se ka qenë së bashku me fëmijën brenda në ashensor dhe se po ngjiteshin në katin e pestë në banesën e tyre.
Gjatë asaj kohe, në ashensor fëmija ka pësuar lëndime të rënda në kokë dhe sipas saj, ajo s’kishte kuptuar asgjë, pasi ashensori nuk kishte pasur ndriçim brenda dhe se nuk i mbyllej njëri krah i derës. Gjithnjë, sipas nënës, në kohën që ishin në lëvizje në ashensor, ajo kishte filluar të thërriste fëmijën, por ai nuk ishte përgjigjur.
Dhe vetëm kur kishin arritur në katin e pestë, ajo e kishte vërejtur fëmijën të shtrirë në dysheme dhe pa vetëdije. Ndërkohë, gruaja është arrestuar dhe aktualisht po mbahet në paraburgim në Qendrën e ndalimit në Lipjan. Nga burime private të Gazetës mësojmë se me përgatitjet e funeralit të fëmijës, janë marrë të afërmit e bashkëshortit të 24-vjeçares./lajm/