Bujanoc, 5 maj - Mijëra shqiptarë sot protestuan në Bujanoc me porositë e drejtuar Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare për të ndalur terrorin dhe dhunën serbe në këtë rajon me shumicë shqiptare.
Protesta gjithëpopullore që u zhvillua në sheshin "Skenderbeu" ka pasur mbështetje masive nga shqiptarët e tre komunave, por edhe qytetarëve të ardhur nga Kosova dhe Maqedonia.
Gjatë protestës janë vërejtur forca të shumta të policisë dhe xhandarmerisë serbe, të cilat kanë tentuar të provokojnë situatën.
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi theksoi se Serbia po tenton që të dëbojë shqiptarët nga trojet e veta, por këtë asnjëherë nuk do ta realizojë, sepse kanë ikur kohërat e Millosheviqave, njofton INA.
"Daçiqi ta dijë mirë se shqiptarët asnjëherë nuk do të largohen nga trojet e veta. Ne do të jemi edhe më të fortë dhe më të bashkuar si asnjëherë më parë. Daçiqi po tenton që të shkaktojë gjendje të jashtëzakonshme në Bujanoc dhe Luginë, por këtë duhet ta harrojë, sepse këto skenare janë të lexuara që pushtetin në komunën tonë ta marrin përmes skenareve të errëta dhe artificiale", theksoi Kamberi, duke alarmuar bashkësinë ndërkombëtare që të ndërhyjë në pengimin e skenareve serbe për trazimin e rajonit dhe kryerjen e një gjenocidi të ri sistematik ndaj shqiptarëve.
Kryetari i këshillit komunal dhe lideri i LPD-së, Jonuz Musliu porositi Beogradin që të shmanget dhe të heq dorë nga skenaret millosheviqiane. "Serbia dhe Daçiqi le të harrojnë se mund të bëjnë spastrim etnik në Bujanoc dhe komunat etjera të shqiptare", apeloi Musliu.
Në këtë tubim kanë mbajtur fjalime edhe kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, kryetari i UDSH-së Rahmi Zulfiu dhe kryetari i KNSH-së, Galip Beqiri, etj.
Gjatë tërë protestës janë bërë thirrje kundër regjimit serb dhe kundër ministrit Daçiq, duke e quajtur si "Daçiq - Djali i Millosheviqit", "Stop Diskriminimit", "Bujanoci është Kosovë Lindore dhe nuk zbrapset", "Të reagojë bashkësia ndërkombëtare kundër regjimit serb", etj.
Liderët e partive politike shqiptare i bën thirrje Beogradit se nuk do të bojkotojnë zgjedhjet, edhe pse ishte një skenar i tillë i përgaditur për të arritur që përmes situatës së tensionuar shqiptarët nesër të mos dalin në votime. "I bëjmë me dije se nuk bojkotojmë zgjedhjet, se ky ishte qëllimi i tyre", theksoi kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, duke komentuar mediat e sotme serbe, të cilat që në mëngjes paralajmëruan se në Bujanoc shqiptarët do të bojkotojnë tërësisht zgjedhjet e gjashtë majit, përfshirë edhe ato lokale.
Ata apeluan që shqiptarët kudo që janë nga tri komunat të kthehen nesër në vendlindje dhe të japin votën e tyre për të ruajtur vendlindjen dhe të ardhmen e këtij rajoni./Koha/