Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e së hënës në aksin Himarë-Sarandë, ku një autobus me 33 studentë në bord ka rënë në humnerë, duke shkaktuar vdekjen deri tani të të paktën 12 personave.
Autoritetet zyrtare kanë njoftuar se autobusi ka rënë në thellësi prej afërsisht 100 metrash dhe dyshohet se të paktën 21 studentët e tjerë, të gjitha femra, kanë mbetur të plagosura.
Drejt vendit të ngjarjes, në zonën e quajtur Qafa e Vishës, u dërguan forca të shumta policore, autoambulanca dhe helikopterë, të cilët kanë sjellë 7 persona në Spitalin Ushtarak, në Tiranë.
Aktualisht disa prej tyre jane ne gjendje kome pasi kanë marrë dëmtime serioze në trup.
Gjithashtu, mësohet se autobusi i rrëzuar ishte me targë Elbasani dhe studentët janë të Universitetit Aleksandër Xhuvani, dega Gjuhë-Letërsi, viti i tretë.
Ndërkohë, Policia e Shtetit, përmes një njoftimi për shtyp bëri të ditur se përveç njësive policore, në vendin e ngjarjes u dërgua edhe reparti special Delta Forcë dhe se është ngritur një grup i posaçëm pune për menaxhimin e situatës.
“Ngjarja ndodhi rreth orës 16.15. Në vendin e quajtur Qafa e Vishës, një autobus me targë “El 2274 B”, me drejtues shtetasin Pëllumb Çela, vjeç 55, me të cilin po udhëtonin disa studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani”, ka dalë nga rruga. Menjëherë, drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, të Repartit Delta Force dhe të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore për të dhënë ndihmën e nevojshme dhe për të menaxhuar situatën. Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur grupi i punës për menaxhimin e situatës”, thuhej në njoftimin e policisë.
Vetë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj u nisën drejt Himarës për të mbikëqyrur nga afër situatën.
Ndërsa, Andrea Goro, anëtar i Këshillit Bashkiak të Himarës, deklaroi për Top Channel se situata paraqitej shumë e rëndë dhe se numri i viktimave ishte mbi 10.
Ndërsa korrespondenti i Top Channel bëri të ditur se thellësia e humnerës është 80 metra, se autobusi është shkatërruar tërësisht dhe se për pak kohë brenda tij ndenjën disa të mbijetuar./tch/{jathumbnail off}