Një shpërthim i fuqishëm një orë pas mesnatës, në rrugën kryesore në pjesën veriore të Mitrovicës, ka shqetësuar banorët e pjesës veriore të Mitrovicës.
Zyrtari për informim publik në policinë e Kosovës në Mitrovicë, toger Besim Hoti, ka thënë se në bazë të raporteve të hetuesve policor mësohet se mjeti eksplodues, me efekt të lart detonues, por pa aftësi shkatërruese i aktivizuar nga persona ende të panjohur dhe nën rrethana të pasqaruara në rrugën “Mbreti Petër” në veri të qytetit, ka shkaktuar dëme materiale në tri xhamat e dritareve të një banese.
Xhamat e dritareve janë thyer si rezultat i shpërthimit të mjetit piroteknik eksplodues, i cili dyshohet të ishte aktivizuar afër ndërtesës ku janë shkaktuar dëmet e xhamave të dritareve.
Vlera e dëmeve materiale, konsiderohet të jetë rreth 30 euro, kurse ekzaminimi i vendit të ngjarjes është proceduar nga njësitë përkatëse hetimore të stacionit policor në veri të Mitrovicës dhe teknikëve të kriminalistikës, të cilët kanë gjetur pjesët e mbetura të mjetit shpërthyes piroteknik.
Rasti është regjistruar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”/zeri/