Bashkimi Evropian ka vendosur që të vazhdojë mandatin e misionit të vet më të madh të sundimit të ligjit për edhe dy vjet tjera. Kështu., sipas vendimit të sotëm, EULEX-i do mbetet në Kosovë së paku deri më 14 qershor të vitit 2014.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, baronesha Catherine Ahston ka përshëndetur vendimin e sotëm. Ajo ka theksuar se EULEX-i po bën punë të mirë dhe të rëndësishme në mbështetjen e sundimit të ligjit në Kosovë.
“I inkurajoj autoritetet e Kosovës që të shfrytëzojnë përvojën e EULEX-it përderisa misioni po i adaptohet rrethanave të reja dhe dhe progresit të arritur”, ka thënë baroensha Ashton, nëpërmjet kumtesës për media.
Ajo më tej citohet të ketë thënë se në të ardhmen, gjithnjë e më shumë përgjegjësi do marrin përsipër autoritete e Prishtinës zyrtare.
Në argumentimin e vendimit, Këshilli Evropian thekson se mandati i misionit mbetet i pandryshuar ndonëse në rrethanat aktuale ky mision po rikonfigurohet nga brenda.
Thuhet se qëllimi i këtij rikonfigurimi është bërja e misionit më të fuqishëm dhe më efikas. Sipas këtij rikonfigurimi është vendosur që misioni të zvogëlohet për 25 % dhe në këtë mënyrë që nga 15 qershori, EULEX-i do numërojë 1250 staf ndërkombëtar dhe 1000 lokal.
Duke pas parasysh se sfida më e madhe mbetet gjyqësia, nga Brukseli konfirmohet se ky segment do ketë vëmendjen më të madhe të EULEX-it, andaj edhe numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të tij për momentin do mbetet i paprekur.
Bashkimi Evropian gjithashtu ka konfirmuar se për vitin e parë të mandatit në vijim, për buxhetin e EULEX-it janë ndarë 111 milion euro./rtk/