Ka marrë fund pa konsensus dhe vetëm me votat e mazhorancës odisea e zgjedhjes së Presidentit të Gjashtë të Republikës, ai është Bujar Nishani. Kandidatura Partisë Demokratike mori 73 vota pro dhe vetëm një kundër, ndërsa dy fletë u shpallën të pavlefshme.
Procesi i votimit nisi pas orës 17:00 dhe në sallë ndodheshin edhe deputetët socialistë, të cilët kishin paralajmëruar bojkotimin e procesit të votimit. Në votimin e fshehtë nga opozita mori pjesë vetëm deputeti dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule i cili në mënyrë demostrative hodhi bosh, pa e plotësuar në këndin sekret, fletën e tij. Votoi gjithashtu edhe deputeti i përjashtuar nga grupi parlamentar socialist, Kastriot Islami dhe kreu i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa.Ky i fundit në deklaratat publike dhënë para zgjedhjes së presidentit, pati deklaruar votën kundër për kandidatët që nuk merrnin konsensusin e të gjitha palëve.
Pas përfundimit të procesit të votimit, komisioni i votimit, i përbërë nga deputeti demokrat, Viktor Gumi, Arenca Trashani dhe deputeti socialist, Armando Subashi nis numërimin e fletëve. Komisioni konfirmoi 76 fletë votimi, 2 prej tyre bosh, praktikisht të pavlefshme dhe nga 74 votat e vlefshme 73 shkuan në favor të Bujar Nishanit President dhe vetëm 1 kundër.
Në përfundim të procesit, deputetët e mazhorancës uruan Bujar Nishanin për detyrën e tij të re, që do të nisë në ditët e fundit të korrikut, kur edhe përfundon mandati i presidentit Topi. Nishani do të jetë President i Republikës për mandatin 5-vjeçar, deri në vitin 2017-të.
Zoti Bujar Nishani ishte kandidatura e vetme në raundin e katërt të votimit për zgjedhjen e Presidentit. Ai u propozua gjatë pasdites së sotme, pas tërheqjes së Artan Hoxhës, i cili u largua nga gara pak minuta para se të niste votimi gjatë paradites.
Ai ishte një ndër katër emrat që maxhoranca propozoi një natë më parë në tryezën me liderin e opozitës. Zoti Nishani është tashmë Presidenti i gjashtë, i cili u zgjodh pa konsensusin e opozitës. Gjatë orëve të pasdites pati debate nëse kjo kandidaturë ishte apo jo kushtetuese, për shkak se ai mban detyrën e ministrit të Brendshëm.
Sipas disa konstitucionalistëve, zoti Nishani mund të quhej kandidat për president vetëm pasi të jepte dorëheqje si ministër dhe ajo të pranohej nga kreu i shtetit, Bamir Topi./tch/