Shteti, për 5 muaj 700 mijë euro për vetura

Edhe pse nuk ka kaluar ende gjysma e parë e këtij viti, institucionet qeveritare kanë shpenzuar mijëra euro për të blerë vetura. Disa Ministri dhe Komuna te Kosovës, për këtë pjesë të vitit kanë pasur “prioritet” kryesor blerjen e veturave, pasi që ato nuk kanë tender të tjerë të shpallur, por vetëm tenderë për blerje të veturave.

Gazeta “Lajm” ka shpalosur të gjithë tenderët që këto institucione kanë dhënë për vetura, dhe shuma totale e të gjithave këtyre është rreth 700 mijë euro. “Valles” për blerje të veturave për këtë vit i ka prirë Ministria e Arsimit e udhëhequr nga Ramë Buja, e cila për t’i blerë disa vetura ka shpenzuar rreth 200 mijë euro.

Tipi i veturave për MASHT është Suzuki dhe vlera e një veture kap shifrën e mbi 40 mijë eurove. Ndërsa, këtë tender e kishte fituar kompania “Auto-Kaqandolli”. Edhe ministrja Mimoza Kuasri-Lila që udhëheq Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, nuk ka hezituar të shpenzojë mijëra euro për vetura. Tenderi për vetura kësaj ministrie i ka kushtuar 165 mijë euro dhe këtë e kishte fituar kompania “Kosova-Motors”.

E, pak me dorështrënguar nga dy ministrat e lartpërmendur, ka qenë ministri i Administratës Publike, Mahir Yagçilar. MAP, tenderin “Furnizim me vetura për nevojat e MAP-it”, ka shpenzuar fiks 99, 596. 00 euro, kjo ministri këto vetura i ka blerë nga kompania “AGS”, e cila kompani duket se është më e përkëdhelura e institucioneve, ngase ka disa tenderë të fituar për furnizim me vetura. Kjo kompani për këtë vit ka fituar tenderë edhe nga Komuna e Drenasit në vlerë prej rreth 27 mijë eurosh.

Edhe Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar gjatë këtyre pesë muajve të parë të këtij viti mijëra euro për vetura. Ferid Agani që udhëheq me këtë ministri, për tenderin Furnizim me Vetura dhe Autoambulanca, ka shpenzuar 64.200.00 euro dhe këtë tender e ka fituar kompania “Porsche Kosova”./Lajm/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat